Pamje: Aeroplani përcillet nga flaka gjatë aterrimit emergjent në ShBA - NACIONALE

Pamje: Aeroplani përcillet nga flaka gjatë aterrimit emergjent në ShBA

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një aeroplan i kompanisë “FedEx” ka bërë një ulje emergjente të përcjellë me flakë në Tennessee pas dështimit për nxjerrjen e rrotave, duke shkaktuar zjarr në momentin e kontaktit me pistën.

Aeroplani i tipit “Boeing 757” ishte duke fluturuar nga Chattanooga për në Memphis të mërkurën, kur pësoi dështim për nxjerrje të rrotave pak pas nisjes së fluturimit, i tha agjencisë “Associated Press” një zëdhënës i kompanisë “FedEx”.

Aeroplani, që kishte tre anëtarë ekuipazhi në të, bëri fluturime rrethore mbi aeroport para se pilotët të vendosnin për të bërë aterrim emergjent, sipas një shkrimi në rrjetin X të zjarrfikësve në Chattanooga.

Në një video, aeroplani shihet duke lëvizur zvarrë nëpër pistën e aeroportit dhe duke u përcjellë nga flaka. Aeroplani doli nga pista, por u ndal para se të dilte në një rrugë, thanë zjarrfikësit.

Zjarrfikësit thanë se vetë aeroplani nuk ishte kapluar nga zjarri dhe se nga motorët kishte dalë vetëm tymi.

Të tre anëtarët e ekuipazhit ishin të sigurt, thuhet më tej në njoftimin e zjarrfikësve. “Punë e mrekullueshme nga piloti dhe personeli i aeroportit, si dhe e të gjitha agjencive reaguese për përpjekjet e tyre të bashkërenduara”- thuhet në njoftim.

Bordi Kombëtar për Sigurinë e Transportit i tha agjencisë “Associated Press” se do ta hetojë aterrimin e këtij aeroplani.

Pista kryesore e aeroportit ishte mbyllur pas incidentit, por është hapur përsëri, sipas një uebfaqeje lokale.

Lajme të ngjashme