Pamje: Aeroplani detyrohet të aterrojë pa rrotat e përparme në Stamboll
Një aeroplan mallrash i prodhuesit “Boeing” është detyruar që të aterrojë në një aeroport të Stambollit pa rrotat e përparme, incident tjetër për kompaninë amerikane.
Askush nuk u lëndua në incidentin që ndodhi në fund të një fluturimi të operuar nga kompania postare “FedEx”, sipas Ministrisë së Transportit të Turqisë, raporton gazeta “The Guardian”.
Aeroplani i tipit “Boeing 767”, që po fluturonte nga aeroporti “Charles de Gaulle” në Paris të mërkurën, e informoi kullën e trafikut ajror në aeroportin e Stambollit që rrotat e përparme nuk po hapen dhe aeroplani aterroi me ndihmën e udhëzimeve nga kulla, tha ministria turke.
Shërbimet emergjente po qëndronin në gjendje gatishmërie për këtë aterrim. Ministria e Transportit nuk dha një arsye për dështimin e aeroplanit që t’i nxirrte rrotat e përparme dhe tha se ekipet e saj ishin duke kryer ekzaminime në vendin e ngjarjes si pjesë e një hetimi.
Në pamje të incidentit shihet aeroplani duke e prekur tokën me rrotat e pasme, pastaj me pjesën e përparme të trupit, duke shkaktuar shkëndija e tym. Aeroplani më pas ndalet, duke mbetur në pistë.
Pista është mbyllur përkohësisht për trafikun ajror, por qarkullimi në pistat e tjera të aeroportit po vazhdonte pa pengesa, tha operatori i aeroportit, IGA.
Kompania “Boeing” të martën tha se i kishte njoftuar rregullatorët për dështime të mundshme që të kryejnë inspektime të detyrueshme të sigurisë në aeroplanët “787 Dreamliner”.