Pakistani thotë se po i jep hapësirë diplomacisë para se t’i kundërpërgjigjet Indisë
Pakistani nuk dëshiron t'i kundërpergigjet sulmit nga India para se aleatët ta provojnë diplomacinë, i tha televizionit CNN një burim i lartë i Qeverisë pakistaneze, përderisa Shtetet e Bashkuara, Arabia Saudite dhe vende të tjera po angazhohen me të dyja palët në përpjekje për t'i ulur tensionet.
"Pakistani po i jep hapësirë diplomacisë" - tha burimi, duke i mohuar raportimet se Pakistani e ka sulmuar Indinë. Më herët, zyrtarë indianë thanë se Pakistani ka hedhur raketa e dronë drejt qendrave ushtarake në Indi dhe në pjesën e Kashmirit që administrohet nga India, raporton televizioni CNN.
Të enjten, ushtria pakistaneze e akuzoi Indinë për krijimin e një "entuziazmi" për atë se gjoja Pakistani ka sulmuar 15 lokacione në Indi dhe në Kashmirin e administruar nga India.
"Eshtë rrëfim fantastik e i gatuar. Vetëm mund të qeshim me të" - tha para gazetarëve zëdhenësi Ahmed Sharif Chaudhry.
"Pakistani ende nuk ka shkrepur raketa dhe nuk ka dërguar dronë ne Indi" - i tha burimi televizonit amerikan.
Një zëdhënës i ushtrisë indiane i tha televizionit CNN më herët se shpërthime janë dëgjuar në gytetin Jammu, në pjesën e Kashmirit që kontrollohet nga India.
Policia ne Pathankot, qytet në shtetin indian Punjab, gjithashtu pranoi raportime për shpërthime, sipas një burimi policor. Zyrtarët thane se sistemet e mbrojtjes ajrore ishin në funksion në të dyja këto vende.
Burimi tha se Pakistani ka qenë duke i bërë thirrje ShBA-së që ta përdorë analizën e vet satelitore për t’i vërtetuar ose për t’i hedhur poshtë pretendimet e Indisë për sulme në Jammu, Pathenkot dhe për raketa të hedhura në vende të tjera./Nacionale