Pa rezultate në Egjipt, thuhet se Hamasi e refuzoi ofertën e Izraelit për një javë pauzë
Mundësia për një marrëveshje të re për shkëmbimin e pengjeve të Hamasit me një pauzë në luftime mes këtij grupi e Izraelit mbetet e paqartë, pasi palestinezët këmbëngulën se nuk do të diskutonin për asgjë më pak se përfundimi i plotë i ofensivës izraelite në Gaza.
Udhëheqësi i Hamasit, Ismail Haniyeh, e vizitoi Egjiptin të mërkurën për herë të parë në më shumë se një muaj për diskutime me zyrtarë egjiptianë, të cilët po synojnë të ndërmjetësojnë për një armëpushim të ri, raporton gazeta “The Guardian”.
Agjencia “Reuters” citoi një burim të ketë thënë se emisarët po diskutonin në mënyrë intensive se cilat pengje që po mbahen ende nga militantët palestinezë në Gaza do të mund të liroheshin përmes një pakti të ri armëpushimi dhe cilët të burgosur palestinezë do të mund të liroheshin nga Izraeli.
Megjithatë, takimi i tyre me kreun e Hamasit përfundoi pa rezultate, i tha televizionit BBC një zyrtar palestinez.
Taher Al-Nono, këshilltar për media e Haniyeh-s, i tha agjencisë “Reuters” se Hamasi nuk ishte i gatshëm që të diskutonte për lirimin e më shumë pengjeve izraelite derisa Izraeli t’i japë fund në mënyrë të përhershme fushatës së tij ushtarake në Gaza dhe derisa të shtohen ndihmat humanitare për civilët palestinezë.
“Nuk mund të flasim për bisedime, përderisa Izraeli e vazhdon agresionin e vet. Diskutimi i çfarëdo propozimi të ndërlidhur me të burgosurit duhet të ndodhë pas ndaljes së agresionit”- shtoi ai.
Izraeli ka këmbëngulur që të gjitha gratë dhe burrat me shëndet të dobët në mesin e pengjeve duhet të lirohen, tha një burim i njoftuar rreth bisedimeve.
Gazeta “The Wall Street Journal” citoi zyrtarë egjiptianë të kenë thënë se Hamasi refuzoi një ofertë të Izraelit për t’i ndalur luftimet për një javë në këmbim të lirimit të dhjetëra pengjeve.
Xhihadi Islamik, grup militant islamik më i vogël se Hamasi, që gjithashtu është duke mbajtur disa pengje në Gaza, tha se udhëheqësi i tij do ta vizitojë Egjiptin ditëve të ardhshme për të diskutuar rreth përfundimit të mundshëm të konfliktit.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, të mërkurën tha: “Këto janë diskutime e bisedime shumë serioze dhe ne shpresojmë se ato do të çojnë diku.”