Orbani thotë se financimi i luftës së Ukrainës do ta shkatërronte Evropën - NACIONALE

Orbani thotë se financimi i luftës së Ukrainës do ta shkatërronte Evropën

1 vit më parë

nga NACIONALE

Bashkimi Evropian nuk mund ta përballojë financiarisht financimin e përpjekjeve ushtarake të Ukrainës, kur ndihma financiare nga Shtetet e Bashkuara nuk është më e garantuar, tha të premten kryeministri hungarez, Viktor Orban, pasi udhëheqësit e 26 vendeve të BE-së nënshkruan një deklaratë në të cilën e shprehën përkrahjen për Ukrainën pa Hungarinë.

Orbani, aleat i presidentit amerikan, Donald Trump, i cili gjithashtu është duke mbajtur lidhje me Moskën, tha në radion shtetërore se Qeveria e Hungarisë do të fillojë një “konsultim publik” të brendshëm në javët e ardhshme rreth pranimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Të enjten, udhëheqësit evropianë i mbështetën planet për të shpenzuar më shumë në mbrojtje dhe për të vazhduar që të qëndrohet prapa Ukrainës në një botë të përmbysur nga ndryshimi i politikave amerikane nga presidenti Trump.

Samiti i mbrojtjes i Bashkimit Evropian në Bruksel u mbajt në kohën e frikës se Rusia, e trimëruar nga lufta në Ukrainë, mund të sulmojë një shtet të BE-së në vijim dhe se Evropa nuk mund të mbështetet më në Shtetet e Bashkuara për t’i dalë në ndihmë.

Megjithatë, Orbani, i cili ka refuzuar të dërgojë armë hungareze në Ukrainë që nga fillimi i luftës dhe që ka mbajtur marrëdhënie të ngushta me Moskën, tha se, në vend të zgjatjes së luftës, Evropa duhet t’i përkrahë bisedimet e paqes që po i kërkon Trumpi.

Kryeministri hungarez tha se mënyra se si Bashkimi Evropian dëshiron që ta përkrahë Ukrainën tani, ndërkohë duke i rritur edhe shpenzimet e mbrojtjes për kontinentin, do ta “shkatërronte Evropën”.

“Nëse ShBA-ja tani tërhiqet (nga financimi i luftës)... pse do të kishin gjasë 26 shtetet e tjera anëtare për ta çuar këtë luftë në fund” – pyeti Orbani në radion shtetërore. “Sot, duket se unë e kam përdorur veton, por brenda javëve ata do të kthehen dhe do të dalë se nuk ka para për këto qëllime” – shtoi ai.

Trumpi ka thënë se Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj. Të enjten, ai hodhi dyshime mbi gatishmërinë e tij për t’i mbrojtur aleatët e NATO-s, duke thënë se nuk do të bëjë një gjë të tillë, nëse shtetet e aleancës nuk paguajnë mjaftueshëm për mbrojtjen e tyre./Nacionale

Lajme të ngjashme