Opozita majtiste i fiton zgjedhjet në Lituani
Socialdemokratët opozitarë e shpallën të dielën fitoren në zgjedhjet parlamentare të Lituanisë, garë që u mbizotërua nga zemërimi me koston e jetesës dhe brengat për rreziqet e mundshme nga Rusia fqinje.
Grupi me prirje majtiste është zotuar se do ta mbajë në fuqi programin me shpenzime të majme në fushën e mbrojtjes, por e ka kritikuar koalicionin e qendrës së djathtë të kryeministres Ingrida Simonyte për rritjen e taksave që të financohet ai, raporton agjencia “Reuters”.
Të dhënat zyrtare qeveritare treguan se grupi i qendrës së majtë ishte duke udhëhequr me 52 ulëse në Kuvendin me 141 deputetë, pas numërimit të 99 për qind të votave. Partia në pushtet, Unioni i Atdheut, ishte në rrugë të mirë për ta siguruar vendin e dytë me 28 ulëse.
Shteti baltik me 2,9 milionë banorë ka sistem hibrid të votimit, në të cilin gjysma e deputetëve zgjidhen nga vota popullore. Pjesa tjetër vendoset të dielën, gjatë votimit të bazuar në distrikte mes dy kandidatëve që kanë marrë më së shumti vota, proces që i favorizon partitë më të mëdha.
Kryetarja e Socialdemokratëve, Vilija Blinkeviciute, iu tha gazetarëve se beson që partia e saj do ta ketë shumicën parlamentare krahas partnerëve të mundshëm të koalicionit: Për Lituaninë dhe Unioni i Bujqve dhe të Gjelbërve.
“Rezultatet e këtyre zgjedhjeve treguan se populli lituan, pavarësisht se ku jetojnë ata, në qytete të mëdha, në qytete të vogla apo fshatra, duan ndryshim” – tha ajo.
Zonja Blinkeviciute refuzoi të tregonte nëse e synon postin e kryministres: “Ne do ta diskutojmë këtë brenda partisë, do t’i peshojmë të gjithë plusat dhe minusat.”
Partia Për Lituaninë ishte në rrugë të mirë për të siguruar 14 ulëse në Kuvend, ndërsa Unioni i Bujqve dhe të Gjelbërve tetë deputetë, sipas të dhënave të përkohshme zyrtare.
Koalicioni trepartiak i qendrës së djathtë i kryeministres Simonyte ka pësuar rënie të popullaritetit për shkak të inflacionit, që e kishte arritur kulmin në 20 për qind para dy vjetëve, përkeqësimi i shërbimeve publike dhe zgjerimi i dallimit mes të pasurve dhe të varfërve.
Problemet e brendshme ekonomike ishin në qendër të fushatës zgjedhore. Socialdemokratët janë zotuar që ta luftojnë pabarazinë në rritje përmes ngritjes së taksave për lituanët më të pasur për ta ndihmuar financimin e shpenzimeve më të larta në kujdes shëndetësor dhe mbështetje sociale./Nacionale