OKB: Lufta e kthen Ukrainën dy dekada prapa ekonomikisht, 90% e vendit rrezikohet nga varfëria - NACIONALE

OKB: Lufta e kthen Ukrainën dy dekada prapa ekonomikisht, 90% e vendit rrezikohet nga varfëria

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Raporti i ri OKB-së i publikuar të mërkurën, tregon se pas 3 javësh pushtim nga Rusia, 90% e Ukrainës është në rrezik të bjerë në varfëri.

UNDP ka paralajmëruar se nëse konflikti në Ukrainë vazhdon të zvarritet dhe nëse vendi nuk do të marrë më shumë mbështetje ekonomike, të paktën dy dekada të përparimit ekonomik mund të shkatërrohen.

Agjencia e OKB-së, ka shpejguar se përveç pengesave të tmerrshme të zhvillimit, probleme do të ketë edhe me pabarazitë shoqërore që janë në rritje.

Thirrje për paqe

UNDP ka bërë thirrje për paqe, administratori Achim Steiner, është shprehur se kjo luftë po shkakton vuajtje të paimagjinueshme me humbje jetësh e me një rënie alarmante të ekonomisë.

“Lufta në Ukrainë po shkakton vuajtje të paimagjinueshme njerëzore me një humbje tragjike të jetëve dhe zhvendosje të miliona njerëzve…Vuajtjet dhe vështirësitë që do t'i vijnë një popullsie tashmë të traumatizuar, duhet të vihen në fokus më të mprehtë. Ka ende kohë për ta ndalur këtë trajektore të zymtë.”

Vlerësimet e hershme të OKB-së tregojnë se gati tre në 10 njerëz në Ukrainë kanë nevojë për ndihmë humanitare për të shpëtuar jetën.

Bizneset e mbyllura

Një në dy biznese ukrainase janë mbyllur plotësisht, ndërsa gjysma tjetër është detyruar të operojë nën kapacitet.

Në një deklaratë, UNDP-ja vuri në dukje se stafi ka mbetur funksional gjatë gjithë konfliktit dhe se prania e tyre është forcuar me dislokime "të synuara" në fusha kyçe, të tilla si menaxhimi i mbeturinave, vlerësimi i dëmeve dhe mbështetja e emergjencës për jetë, duke përfshirë ndihmën e bazuar në para.

Ndihma e përditshme

Sipas vlerësimeve fillestare, të paktën 250 milionë dollarë në muaj do të nevojiten për mbulim të humbjeve të të ardhurave për të paktën 2.6 milionë njerëz që pritet të bien në varfëri.

OKB tha se ndihmë do të duhet edhe për vendet pritëse të më shumë se 3 milionë refugjatëve ukrainas.

Rritja e numrit të të vrarëve civilë

Shifrat më të fundit të konfirmuara të viktimave civile nga zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut, OHCHR, vënë në dukje se që nga fillimi i luftimeve të Rusisë kundër Ukrainës në 24 shkurt, ka pasur 1,834 viktima civile në vend - 691 të vrarë dhe 1,143 të plagosur. Megjithatë, agjencitë e OKB-së paralajmërojnë se këto shifra mund te jenë shumë më të larta, por nuk mund të konfirmohen ende per shkak të luftimeve.

Në rajonet Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës lindore, ka pasur 751 viktima (173 të vrarë dhe 578 të plagosur), dhe në territorin e kontrolluar nga qeveria, 582 viktima (134 të vrarë dhe 448 të plagosur).

Ndërkohë, në territorin e kontrolluar nga "republikat" e vetëshpallura të Donetskut dhe Luhanskut, zyra e të drejtave të OKB-së ka regjistruar 169 viktima (39 të vrarë dhe 130 të plagosur).

Në rajone të tjera të Ukrainës (qyteti i Kievit dhe Cherkasy, Chernihiv, Kharkiv, Kherson, Mykolaiv, Odesa, Sumy, Zaporizhzhia, Dnipropetrovsk dhe rajonet Zhytomyr), të cilat ishin nën kontrollin e qeverisë, deri më 14 mars janë regjistruar 1,083 viktima (518 të vrarë dhe 565 të plagosur)./Nacionale/

Lajme të ngjashme