OKB-ja: Viti i kaluar, më vdekjeprurësi për emigrantët
Të paktën 8.565 persona vdiqën nëpër rrugë të emigrimit në mbarë botën vitin e kaluar, duke e bërë vitin 2023 më vdekjeprurësin që është regjistruar ndonjëherë për emigrantët, tha të mërkurën agjencia e OKB-së për emigrantë.
Organizata Ndërkombëtare e Migrimit tha se numri i vdekjeve të emigrantëve që u regjistrua vitin e kaluar, e kaloi shifrën e të vdekurve dhe të zhdukurve në nivel global më 2016, kur ishte rekordi i mëparshëm me 8 mijë e 84 të vdekur, raporton agjencia “Reuters”.
Vitin e kaluar gjithashtu u shënua rritje e numrit të të vdekurve për 20 për qind në krahasim me vitin 2022.
“Këto shifra tmerruese, të mbledhura nga Projekti për Emigrantët e Zhdukur, janë gjithashtu përkujtim se ne duhet të rizotohemi për veprime më të mëdha që mund të sigurojnë emigrim të sigurt për të gjithë, në mënyrë që dhjetë vjet më pas, njerëzit nuk do të detyrohen që ta rrezikojnë jetën e tyre në kërmim të një jete më të mirë” – tha Ugochi Daniels, nëndrejtoreshë e përgjithshme e Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit.
Projekti për Emigrantët e Zhdukur, nismë e kësaj organizate që ka regjistruar vdekje dhe zhdukje të emigrantëve nga viti 2014, ka zbuluar se lëvizjet nëpër Detin Mesdhe vazhdojnë që ta paraqesin rrugën më vdekjeprurëse për emigratët, me të paktën 3.129 të vdekur dhe të zhdukur që u regjistruan vitin e kaluar.