OKB-ja thotë se zgjerimi i operacioneve të Izraelit në Gaza do të kishte pasoja katastrofike - NACIONALE

OKB-ja thotë se zgjerimi i operacioneve të Izraelit në Gaza do të kishte pasoja katastrofike

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se do të kishte “pasoja katastrofike”, nëse Izraeli i zgjeron operacionet ushtarake në Gaza, pas raportimeve se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, po kërkon ripushtim të plotë të enklavës.

Ndihmëssekretari i Përgjithshëm, Miroslav Jenca, tha në Këshillin e Sigurimit se një veprim i tillë do të ishte “thellësisht alarmues” dhe do të mund ta rrezikonte jetën e më shumë palestinezëve si dhe pengjeve izraelite që janë duke u mbajtur nga Hamasi, raporton televizioni BBC.

Mediat izraelite raportuan se Netanyahu planifikon që ta mbledhë në takim kabinetin e tij të sigurisë këtë javë.

“Procesi është nisur. Ne do të shkojmë për pushtimin e plotë të Rripit të Gazës dhe mposhtjen e Hamasit” – citohet të ketë thënë një zyrtar i lartë izraelit.

Kabineti i sigurisë, i cili pritet të takohet të enjten, duhet të miratojë një veprim të tillë. Është lënë të kuptohet se plani mund të jetë një taktikë negociuese për t’i bërë presion Hamasit pas një dështimi të bisedimeve për armëpushim që ndodhi rishtazi, ose një përpjekje për ta siguruar mbështetjen nga partnerët e koalicionit qeveritar nga e djathta ekstreme.

Kur u pyet nëse ai do të përkrahte një plan izraelit për ripushtimin e tërë Gazës, presidenti amerikan, Donald Trump, tha: “Kjo goxha shumë do t’i përkasë Izraelit.”

Izraeli ka qenë duke u ballafaquar me shtim të presionit ndërkombëtar për shkak të luftës në Gaza, ku ekspertët thonë se është duke u shpalosur vdekja nga uria.

Në komentet e tij, Jenca paralajmëroi kundër çfarëdo zgjerimi të operacioneve ushtarake të Izraelit.

“Kjo do të rrezikonte pasoja katastrofike për miliona palestinezë dhe do të mund ta rrezikonte më tej jetën e pengjeve të mbetura në Gaza” – tha ai, duke shtuar se, sipas së drejtës ndërkombëtare, Gaza “është dhe duhet të mbetet pjesë integruese e një shteti të ardhshëm palestinez”.

Ushtria izraelite ka thënë se tashmë ka kontroll operacional në 75 për qind të territorit të Gazës, por në planin e ri thuhet se do të propozohej pushtimi i tërë enklavës, përfshirë zonat ku tani jetojnë më shumë se dy milionë palestinezë.

Propozimet kanë shkaktuar përçarje në Izrael. Raportohet se komandanti i ushtrisë dhe udhëheqës të tjerë ushtarakë janë kundër kësaj strategjie.

Zyrtari i paidentifikuar izraelit u përgjigj duke thënë: “Nëse kjo nuk funksionon për komandantin e ushtrisë, ai duhet të japë dorëheqje.”/Nacionale

Lajme të ngjashme