OKB-ja thotë se vendbanimet izraelite në territoret palestineze janë zgjeruar në sasi rekorde
Vendbanimet izraelite në terrritoret e pushtuara palestineze janë zgjeruar me sasi rekorde dhe rrezikojnë që të eliminojnë çdo mundësi praktike për një shtet palestinez, tha të premten një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara.
Komisionari i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, tha se rritja e vendbanimeve izraelite arrin te transferimi i popullsisë nga Izraeli, për të cilin ai ritheksoi se është krim lufte. Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, tha muajin e kaluar se këto vendbanime janë “të papajtueshme” me të drejtën ndërkombëtare, pasi Izreli njoftoi plane të reja për vendbanime në Bregun e pushtuar Perëndimor, raporton agjencia “Reuters”.
“Dhuna e kolonëve dhe shkeljet e ndërlidhura me kolonë kanë arritur nivele të reja tmerruese dhe rrezikojnë që të eliminojnë çfarëdo mundësie praktike për themelimin e një shteti palestinez të zbatueshëm” – tha Turk në një deklaratë të shoqëruar me raportin që do t’i paraqitet Këshillit të të Drejtave të Njeriut në Gjenevë në fund të marsit.
Misioni diplomatik i Izraelit në Gjenevë tha se raporti do të duhej ta përfshinte vdekjen e 36 izraelitëve më 2023. “Të drejtat e njeriut janë universale, prapëseprapë viktimat izraelite të terrorit palestinez shpërfillen nga Zyra (e Komisionarit të Lartë”) në mënyrë të përsëritur” – thuhet në një deklaratë të këtij misioni.
Në raportin me 16 faqe, që është i mbështetur në vetë vëzhgimin e OKB-së si dhe në burime të tjera, dokumentohen 24 mijë e 300 njësi të re izraelite të banimit në Bregun e pushtuar Perëndimor gjatë një periudhe njëvjeçare që përfundoi në fund të tetorit të vitit të kaluar, që thuhet se është shifra më e lartë që është regjistruar që nga fillimi i vëzhgimit më 2017.
Për më tepër, në këtë raport thuhet se ka pasur rritje dramatike të intensitetit, ashpërsisë dhe rregullsisë së dhunës shtetërore e të kolonëve izraelite kundër palestinezëve në Bregun e pushtuar Perëndimor, sidomos pas sulmeve vdekjeprurëse të Hamasit në Izrael më 7 tetor.
Nga ajo kohë, më shumë se 400 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite ose nga kolonët, thuhet në raport.