OKB-ja thotë se në Gazën veriore është duke funksionuar vetëm një spital - NACIONALE

OKB-ja thotë se në Gazën veriore është duke funksionuar vetëm një spital

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kombet e Bashkuara kanë thënë se vetëm një spital është duke funksionuar në pjesën veriore të Gazës, përderisa sulmet izraelite po godasin zona afër objekteve mjekësore, duke i lënë punëtorët shëndetësorë në luftë për t’i mbajtur gjallë pacientët, përfshirë foshnjat e porsalindura.

“Të gjitha spitalet, pos njërit, në qytetin Gaza dhe në Gazën veriore raportohet se janë jashtë shërbimit, deri më 13 nëntor, për shkak të mungesës së energjisë, materialit mjekësor shpenzues, oksigjenit, ushqimit dhe ujit, të përkeqësuar nga bombardimet dhe luftimet në afërsi të tyre”- tha të martën Zyra e OKB-së për Bashkërendim të Çështjeve Humanitare.

Nga rreth 30 spitale dhe klinika në Gazën veriore, vetëm një objekt mjekësor raportohet se mund të pranojë pacientë, sipas OKB-së. Të paktën 500 pacientë po mundohen që të strehohen në spitalin “Al-Ahli” në qytetin Gaza, raporton televizioni CNN.

Rishtazi, presidenti amerikan, Joe Biden, ka shprehur shqetësim për spitalet në Gaza në kohën e pretendimeve të Izraelit se Hamasi është duke i shfrytëzuar këto objekte për të bashkërenduar sulme.

“Epo, e dini, nuk kam qenë ngurues që ta shpreh shqetësimin tim për atë që po ndodh dhe janë shpresa dhe pritjet e mia që do të ketë veprim më pak të ndërfutur në lidhje me spitalet, jemi në kontakt me izraelitët”- tha të hënën presidenti Biden.

Këshilltari për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, i bëri jehonë komentit të Bidenit të hënën, duke thënë: “Ne nuk duam që të shohim luftime zjarri në spitale.”

“Duam që t’i shohim pacientët të mbrojtur. Duam që t’i shohim spitalet të mbrojtura. Kemi folur me Qeverinë e Izraelit për këtë dhe ata kanë thënë se e ndajnë këtë pikëpamje që nuk duan të shohin luftime zjarri në spitale”- shtoi ai.

Lajme të ngjashme