OKB-ja raporton për 27 civilë të vrarë në Siri, përfshirë tetë fëmijë
Luftimet në pjesën veriperëndimore të Sirisë gjatë tri ditëve të fundit kanë lënë të vrarë 27 civilë, përfshirë tetë fëmijë, i tha të premten agjencisë “Reuters” David Carden, nënkoordinator humanitar rajonal i OKB-së për krizën në Siri.
Aeroplanë rusë e sirianë bombarduan të enjten zona të kontrolluara nga rebelët në pjesën veriperëndimore të Sirisë, afër kufirit me Turqinë, në përpjekje për të sprapsur një ofensivë të kryengritësve me të cilën kanë kapur territor për herë të parë në disa vjet, thanë ushtria siriane dhe burime nga rebelët, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ne jemi thellësisht të alarmuar nga situata që po shpaloset në Sirinë veriperëndimore. Sulmet e pamëshirshme gjatë tri ditëve të fundit ua kanë marrë jetën të paktën 27 civilëve, përfshirë fëmijëve të vegjël nga mosha 8-vjeçare” – tha Carden-i.
“Civilët dhe infrastruktura civile nuk janë shënjestra dhe duhet të mbrohen sipas së drejtës humanitare ndërkombëtare”- shtoi ai.