OKB-ja kundër Izraelit: Vendbanimi E1 është ilegal, popullimi i tokës së pushtuar – krim lufte - NACIONALE

OKB-ja kundër Izraelit: Vendbanimi E1 është ilegal, popullimi i tokës së pushtuar – krim lufte

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara tha të premten se plani qeveritar izraelit për t’ia dhënë dritën e gjelbër ndërtimit të mijëra shtëpive izraelite në një zonë të diskutueshme të Bregut Perëndimor është ilegal sipas së drejtës ndërkombëtare dhe do t’i vinte palestinezët e asaj pjese para rrezikut për dëbim me forcë.

Zëdhënësi i kësaj zyre tha se plani izraelit do ta ndante Bregun Perëndimor në enklava të izoluara dhe se është “krim lufte që një fuqi pushtuese ta transferojë popullsinë e vet civile në territorin që e pushton”, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Ministri i Financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, tha të mërkurën se synon që të miratojë tenderë për ndërtimin e më shumë se 3.000 njësive të banimit në projektin kundërthënës të banimit E1 mes Jerusalemit dhe Ma’ale Adumim-it. Sipas tij, ky plan “e varros idenë e një shteti palestinez”.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk ka dhënë ndonjë koment të drejtpërdrejtë për këtë çështje. Sidoqoftë, ministri Smotrich tha të mërkurën se shefi i tij e mbështet planin.

Disa shtete evropiane e arabe si dhe Kombet e Bashkuara e dënuan të enjten planin e ministrit Smotrich. Të premten, Gjermania gjithashtu e shprehu kundërshtimin e saj ndaj ndërtimit të këtij vendbanimi.

Gjermania “vendosmërisht i refuzon njoftimet e qeverisë izraelite në lidhje me miratimin e mijëra njësive të reja të banimit në Bregun Perëndimor”, tha në një deklaratë një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme.

Ndërtimi i mundshëm i një lagjeje të re në vendbanimin Ma’ale Adumim në të ashtuquajturën zonë E1 ka qenë për një kohë të gjatë shkaktar për alarm në komunitetin ndërkombëtar. Ndërtimi i saj do ta ndante Bregun Perëndimor në rajone veriore dhe jugore dhe do ta parandalonte zhvillimin e një metropoli palestinez që e lidh Jerusalemin me Betlehemin dhe Ramallahun, për të cilët palestinezët për një kohë të gjatë kanë shpresuar se do të shërbejnë si themel i shtetit të tyre në të ardhmen./Nacionale

Lajme të ngjashme