OKB-ja e publikon datën e largimit të ShBA-së nga Organizata Botërore e Shëndetësisë
Kombet e Bashkuara thanë të enjten se Shtetet e Bashkuara do të largohen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë më 22 janar 2026, pasi organizata u njoftua formalisht për vendimin e marrë nga presidenti i ri amerikan, Donald Trump, i cili e ka akuzuar OBSh-në për keqmenaxhim të pandemisë së koronavirusit dhe të krizave të tjera shëndetësore ndërkombëtare.
Trumpi e njoftoi vendimin të hënën, vetëm disa orë pasi u betua në mandatin e dytë si president. Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të martën se i vjen keq për veprimin e shtetit që ka qenë dhuruesi kryesor i fondeve për të, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Presidenti amerikan duhet të japë një njoftim paraprak prej një viti para tërheqjes së ShBA-së nga agjencia me seli në Gjenevë dhe t’i paguajë detyrimet e Uashingtonit sipas një rezolute të përbashkët të vitit 1948 të Kongresit të ShBA-së.
Shtetet e Bashkuara janë bindshëm mbështetësja më e madhe financiare e OBSh-së, duke kontribuuar me rreth 18 për qind të fondeve të përgjithshme të saj. Buxheti dyvjeçar 2024 – 2025 i OBSh-së është 6,8 miliardë dollarë. Nuk qe menjëherë e qartë se çfarë shume detyrohet ta paguajë ShBA-ja.
“Mund të konfirmoj se ne tani e kemi pranuar letrën e ShBA-së për tërheqje nga OBSh-ja. Ajo e mban datën 22 janar 2025. Ajo do të hyjë në fuqi një vit nga dje, më 22 janar 2026” – tha zëvendëszëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq.
Tërheqja e Shteteve të Bashkuara me gjasë do të rrezikojë programe në mbarë organizatën, sipas disa ekspertëve brenda e jashtë OBSh-së – nga më të rëndësishmet programet kundër tuberkulozit, sëmundja ngjitëse më vdekjeprurëse në botë, si dhe programet kundër virusit HIV/AIDS e për urgjenca të tjera shëndetësore.
Vendimi i Trumpit për tërheqjen e ShBA-së nga OBSh-ja nuk është i papritur. Ai kishte bërë hapa për këtë veprim edhe në vitin 2020, gjatë mandatit të parë si president, duke e akuzuar agjencinë për ndihmë rreth përpjekjeve të Kinës për ta “hutuar botën” rreth prejardhjes së koronavirusit./Nacionale