OKB-ja e nis procesin për zgjedhjen e sekretarit të Përgjithshëm – cilët janë kandidatët? - NACIONALE

OKB-ja e nis procesin për zgjedhjen e sekretarit të Përgjithshëm – cilët janë kandidatët?

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Procesi për zgjedhjen e sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara formalisht nisi të martën, pasi shteteve anëtare iu kërkua që të nominonin kandidatë për ta marrë këtë post të lartë nga 1 janari i vitit 2027.

Në një letër të përbashkët, Këshilli i Sigurimit me 15 vende anëtare dhe presidentja e Asamblesë së Përgjithshme bënë thirrje për nominime, duke e shënuar fillimin e garës për zëvendësimin e Antonio Guterresit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Duke vërejtur me keqardhje se asnjë grua nuk e ka mbajtur ndonjëherë pozitën e sekretares së Përgjithshme dhe të bindur për nevojën që të garantohen mundësi të barabarta për gratë dhe burrat në sigurimin e qasjes në pozita të larta vendimmarrëse, vendet anëtare inkurajohen që fuqishëm ta shqyrtojnë nominimin e grave për kandidate” – thuhet në letër.

Këshilli i Sigurimit formalisht do të rekomandojë një kandidat/e tek Asambleja e Përgjithshme me 193 vende anëtare më vonë vitin e ardhshëm.

Në mesin e kandidatëve të deklaruar publikisht për postin e lartë deri më tani janë ish-presidentja e Kilit, Michelle Bachelet, ish-nënpresidentja e Kosta-Rikës, Rebeca Grynspan, dhe diplomati argjentinas, Rafael Grossi.

Në fund, pesë anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit, të cilat e kanë fuqinë e vetos – Shtetet e Bashkuara, Rusia, Britania, Kina dhe Franca – duhet të pajtohen për një kandidat/e.

Lajme të ngjashme