OKB-ja bën thirrje që në tërë botën të ndalohen telefonat në shkolla
Telefonat e mençur duhet të ndalohen në shkolla për ta ndërprerë pengimin e procesit mësimor, për ta përmirësuar të nxënit dhe për t’i mbrojtur fëmijët nga bullizimi kibernetik, rekomandohet në një raport të OKB-së.
Agjencia e OKB-së për arsim, shkencë dhe kulturë, UNESCO, tha se ka dëshmi që përdorimi i tepërt i telefonave është i lidhur me zvogëlimin e performancës në arsim dhe se koha e gjatë para ekraneve ka efekt negativ në stabilitetin emocional të fëmijëve, raporton gazeta “The Guardian”.
Kjo agjenci tha se thirrja e saj për ndalimin e telefonave të mençur në shkolla dërgon porosi të qartë se teknologjia digjitale si tërësi, përfshirë inteligjencën artificiale, duhet të jetë gjithmonë e nënshtruar ndaj një “vizioni me njeriun në qendër” për arsimin dhe kurrë nuk duhet ta zëvendësojë ndërveprimin sy më sy me mësuesit.
UNESCO-ja i paralajmëroi politikëbërësit kundër përkrahjes së pamenduar të teknologjisë digjitale, duke argumentuar se ndikimi i saj në rezultatet e të nxënit dhe efikasitetin ekonomik mund të jetë i mbivlerësuar dhe se gjërat e reja nuk janë gjithmonë më të mira. “Secili ndryshim nuk përbën progres. Vetëm pse diçka mund të bëhet, nuk do të thotë se duhet të bëhet”- thuhet në raportin e kësaj agjencie.
Kur një pjesë më e madhe e të nxënit ka kaluar në internet, sidomos në universitete, UNESCO-ja u bëri thirrje politikëbërësve që të mos e shpërfillë “rrafshin shoqëror” të arsimit, ku nxënësit marrin mësim sy më sy. “Ata që bëjnë thirrje për shtimin e individualizimit mund të jenë duke e huqur qëllimin se për çfarë është arsimi”- thuhet në raport.
UNESCO-ja tha në raport se shtetet duhet të sigurohen që kanë objektiva dhe parime të qarta në fuqi për të garantuar që teknologjia digjitale në arsim të jetë e dobishme dhe që të shmangen dëmet, edhe ndaj shëndetit të nxënësve, edhe më gjerësisht, ndaj demokracisë dhe të drejtave të njeriut, për shembull përmes shkeljes së privatësisë dhe nxitjes së urrejtjes në internet.