OBSh-ja pritet ta vlerësojë si kancerogjen të mundshëm njërin prej ëmbëltuesve më të përhapur - NACIONALE

OBSh-ja pritet ta vlerësojë si kancerogjen të mundshëm njërin prej ëmbëltuesve më të përhapur

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Njëri prej ëmbëltuesve më të rëndomtë artificialë, aspartami, pritet të shpallet si lënde e mundshme kancerogjene muajin e ardhshëm nga një organ i rëndësishëm shëndetësor global, sipas dy burimeve me njohuri për këtë proces, duke e vënë atë kundër industrisë së ushqimit dhe rregullatorëve.

Aspartami, përbërës që përdoret në shumë produkte ushqimore, përfshirë pijet “Coca-Cola” pa sheqet e çamçakëzë të ndryshëm, në korrik do të futet në listën e “lëndëve potencialisht kancerogjene për njerëzit” për herë të parë nga Agjencia Ndërkombëtare për Hulumtimet për Kancerin, e cila është pjesë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, thanë burimet.

Synimi i këtij vendimi, që është finalizuar këtë muaj pas një takimi të ekspertëve të jashtëm të grupit, është që të vlerësohet nëse diçka është rrezik i mundshëm apo jo, duke u mbështetur në të gjitha dëshmitë e publikuara, raporton agjencia “Reuters”.

Në vendim nuk merret parasysh fakti se çfarë sasie e produktit është e sigurt për konsumim nga një person. Kjo këshillë për individët vjen nga një komision tjetër i ekspertëve të OBSh-së për shtesat ushqimore, i njohur si JECFA, bashkë me përcaktimet nga rregullatorët shtetërorë.

Megjithatë, vendime të ngjashme të Agjencisë Ndërkombëtare për Hulumtimet për Kancerin për substanca të ndryshme në të kaluarën kanë shkaktuar shqetësim te konsumatorët për përdorimin e tyre, kanë çuar në ngritjen e padive dhe u kanë bërë presion prodhuesve për t’i ndryshuar recetat e për të zgjedhur përbërës alternativë.

Edhe JECFA-ja është duke e rishqyrtuar përdorimin e aspartamit këtë vit. Takimi i këtij organi nisi në fund të qershorit dhe pritet që rezultatet të publikohen në të njëjtën ditë me publikimin e vendimit të agjencisë tjetër – më 14 korrik.

Nga viti 1981, JECFA ka thënë se aspartami është i sigurt për t’u konsumuar brenda kufijve të pranuar ditor. Për shembull, që një i rritur me peshë 60 kilogramë të jetë në rrezik, ai duhet të konsumojë mes 12 e 36 kanaqeve të pijes së gazuar pa sheqer në ditë – varësisht nga sasia e aspartamit në pije.

Lajme të ngjashme