OBSh-ja prapë e shqyrton mundësinë që linë e majmunit ta shpallë emergjencë globale - NACIONALE

OBSh-ja prapë e shqyrton mundësinë që linë e majmunit ta shpallë emergjencë globale

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Një komision i emergjencave i Organizatës Botërore të Shëndetësisë u mblodh të enjten për ta shqyrtuar për herë të dytë brenda disa javëve mundësinë që ta shpallë linë e majmunit krizë globale.

Disa shkencëtarë thanë se dallimet e habitshme mes përhapjeve në Afrikë dhe në shtetet e zhvilluara do ta ndërlikojnë reagimin e bashkërenduar.

Zyrtarët afrikanë thonë se ata tashmë janë duke e trajtuar epideminë e kontinentit si emergjencë. Por ekspertët në vende të tjera thonë se versioni i butë i lisë së majmunit në Evropë, Amerikë Veriore dhe në zona të tjera e bën të panevojshme shpalljen e emergjencës, edhe nëse virusi nuk mund të ndalet. Zyrtarët britanikë rishtazi e minimizuan vlerësimin e sëmundjes, duke e marrë parasysh mungesën e ashpërsisë.

“Unë mbetem i shqetësuar për numrin e rasteve, në një numër në rritje të shteteve, që janë raportuar”, tha në takimin e komisionit drejtori i përgjithshëm i OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Ai tha se është kënaqësi që po vërehet rënia e numrit të rasteve të lisë së majmunit në disa shtete, por se virusi ende është duke u shtuar në vende të tjera dhe javën e kaluar, gjashtë shtete i raportuar rastet e para.

Lia e majmunit është rrënjosur me dekada në disa pjesë të Afrikës Qendrore dhe Afrikës Perëndimore, ku kafshët e egra të sëmura i infektojnë njerëzit në zonat rurale. Sidoqoftë, kjo sëmundje filloi të përhapej edhe në Evropë e Amerikë Veriore nga maji, kryesisht te burrat homoseksualë dhe biseksualë.

Në botë tashmë janë mbi 15.000 raste të lisë së majmunit. Përderisa Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja dhe vende të tjera kanë blerë miliona vaksina, asnjë dozë nuk është dërguar në Afrikë, ku një version më i ashpër i lisë së majmunit tashmë ka shkaktuar mbi 70 viktima. Shtetet e pasura ende nuk kanë raportuar për ndonjë të vdekur nga lia e majmunit.

Agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara tha këtë javë se jashtë Afrikës, 99 për qind e rasteve të raportuara të lisë së majmunit janë te burrat dhe, prej tyre, 98 për qind e rasteve janë te burrat që kanë marrëdhënie intime me burra. Prapëseprapë, me li të majmunit mund të infektohet secili që ka kontakt të ngushtë fizik me ndonjë person të infektuar, pavarësisht nga orientimi seksual./Nacionale

Lajme të ngjashme