NYT: ShBA-ja po përdor dronë mbi Gaza për ta vëzhguar armëpushimin
Ushtria amerikane ka filluar që të përdorë dronë vëzhgues mbi Rripin e Gazës ditëve të fundit si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për t’u siguruar që Izraeli dhe Hamasi janë duke e respektuar marrëveshjen e brishtë të armëpushimit, sipas zyrtarëve ushtarakë izraelitë dhe amerikanë.
Dronët janë përdorur për t’i vëzhguar aktivitetet tokësore në Gaza, me pëlqimin e Izraelit, sipas dy zyrtarëve ushtarakë izraelitë dhe një zyrtari amerikan të mbrojtjes, të cilët folën në kushte anonimiteti për të dhënë hollësi operacionale. Ata thanë se nuk mund t’i ndanin rrugët e fluturimit të dronëve, raporton gazeta “The New York Times”.
Tre zyrtarët thanë se misionet e vëzhgimit me dronë u përdorën për ta mbështetur Qendrën për Koordinim Civil e Ushtarak në jug të Izraelit, e cila u themelua javën e kaluar nga Komanda Qendrore e ShBA-së, pjesërisht për ta vëzhguar armëpushimin.
Edhe pse ushtria amerikane ka përdorur dronë mbi Gaza edhe në të kaluarën për të asistuar rreth lokalizimit të pengjeve, përpjekjet e reja lënë të kuptohet se zyrtarët amerikanë duan që ta kenë pikëpamjen e tyre, të pavarur nga Izraeli, për atë se çfarë është duke ndodhur brenda enklavës.
Departamenti i Shtetit i ShBA-së, institucion që i mbikëqyr përpjekjet për vëzhgimin e armëpushimit, nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve të hollësishme për dronët. Ushtria izraelite refuzoi që të komentonte.
Që nga vizita e presidentit Donald Trump në Izrael javën e kaluar, një varg zyrtarësh të lartë amerikanë kanë shkuar në këtë shtet në përpjekje për ta mbështetur paktin e armëpushimit, përfshirë nënpresidentin JD Vance dhe kryediplomatin Marco Rubio.
Disa zyrtarë të administratës së Trumpit, duke folur në kushte anonimiteti rreth bisedave private, thanë këtë javë se ka shqetësim brenda administratës amerikane se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, mund ta braktisë marrëveshjen.
Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë lidhje të ngushta në fushën e sigurisë. Uashingtoni i ofron Izraelit armë dhe financim dhe dy vendet i ndajnë mes vete të dhënat e inteligjencës. Më herët këtë vit, ato gjithashtu bashkëpunuan gjatë sulmeve ajrore kundër qendrave bërthamore të Iranit./Nacionale