Nxirret i vdekur minatori i dytë pas aksidentit në minierën e thëngjillit në Slloveni - NACIONALE

Nxirret i vdekur minatori i dytë pas aksidentit në minierën e thëngjillit në Slloveni

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ekipet e shpëtimit e nxorën trupin e minatorit të dytë të mërkurën, pasi uji dhe balta depërtuan në tunelet nëntokësore në minierën e thëngjillit në Velenje, në pjesën verilindore të Sllovenisë, raportoi agjencia e lajmeve STA.

Punëtorët e shpëtimit ishin ende duke kërkuar një minator të tretë të ngujuar, pasi disa tonë llum u shembën të hënën në mbrëmje në tunelet e minierës, e cila është pjesë e kompanisë shtetërore, “Holding Slovenske Elektrarne Group”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Zyrtarët e minierës thanë se misioni i shpëtimit, në të cilin rreth 80 punëtorë shpëtues po marrin pjesë në ekipe me ndërrime prej gjashtë orësh, është i rrezikshëm, pasi ata duhet që në mënyrë manual t’i heqin mbetjet, raportoi agjencia STA.

Shkaktari i aksidentit nuk është përcaktuar ende, por inspektorët e minierave ishin duke zhvilluar hetim në vendin e ngjarjes.

Prodhimi në minierë është ndërprerë dhe do të rinisë pas përfundimit të misionit të shpëtimit, tha të martën kryeministri slloven, Robert Golob.

Kjo minierë kryesisht e furnizon me thëngjill termocentralin në Sostanj. Stafi i minierës nuk mund të arrihej menjëherë për koment./Nacionale

Lajme të ngjashme