“Nvidia” bëhet kompania e parë në botë me vlerë mbi 5 trilionë dollarë - NACIONALE

“Nvidia” bëhet kompania e parë në botë me vlerë mbi 5 trilionë dollarë

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Kompania “Nvidia” është bërë e para në botë që e kap vlerën e më shumë se 5 trilionë dollarëve falë lulëzimit të industrisë së inteligjencës artificiale dhe frymës pozitive në tregun amerikan të aksioneve.

Vetëm para tre muajve, prodhuesi i çipave me seli në Silicon Valley u bë kompania e parë që e kaloi pragun e 4 trilionë dollarëve në vlerën e tregut, shkruan gazeta “The Guardian”.

Sa për krahasim, vlera e kësaj firme është më e madhe se prodhimi vendës bruto (GDP) i Indisë, Japonisë dhe Britanisë së Madhe, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Kompania i ka lënë bindshëm prapa konkurrentët në industrinë e çipave, duke siguruar momentum falë rritjes së aksioneve të teknologjisë ditëve të fundit.

Pak pas hapjes së tregjeve të aksioneve në ShBA të mërkurën, vlera e aksioneve të “Nvidia”-s arriti në 207,86 dollarë. Me 24,3 miliardë aksione, vlera e kompanisë arriti në 5,05 trilionë dollar. Kërkesa e madhe për çipat e saj, të cilët shihen si më të avancuarit për fuqizimin e produkteve dhe softuerëve të inteligjencës artificiale, është arsyeja kryesore për rritjen kaq të shpejtë të vlerës së aksioneve të kompanisë që nga pjesa e parë e vitit 2023.

Tregu i aksioneve në ShBA ka arritur disa rekorde këtë javë, i shtyrë nga investimet e gjera në inteligjencën artificiale.

Të martën, shefi ekzekutiv i kompanisë “Nvidia”, Jensen Huang, zbuloi se ekzistojnë porosi me vlerë të 500 miliardë dollarëve për çipa. Kompania gjithashtu njoftoi një bashkëpunim me “Uber”-in për taksi robotë dhe një investim prej 1 miliard dollarësh në kompaninë “Nokia” si plan për të punuar së bashku rreth teknologjisë 6G. Për më tepër, “Nvidia” është duke i bashkuar forcat me Departamentin e Energjisë të ShBA-së për të ndërtuar shtatë superkompjuterë të rinj me inteligjencë artificiale./Nacionale

Lajme të ngjashme