Numër alarmant: Në ShBA u shënua rekord i vetëvrasjeve më 2022 - NACIONALE

Numër alarmant: Në ShBA u shënua rekord i vetëvrasjeve më 2022

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Numri i personave që vdiqën nga vetëvrasja në Shtetet e Bashkuara arriti në mbi 49 mijë e 400 vitin e kaluar, 2,6 për qind më shumë se në vitin paraprak, sipas të dhënave qeveritare të publikuara të enjten.

Në më shumë se gjysmën e rasteve të vetëvrasjes më 2022 ishin të përfshira armët e zjarrit, sipas të dhënave të Qendrave për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

“Nëntë në dhjetë amerikanë besojnë se Amerika është duke u ballafaquar me një krizë të shëndetit mendor. Të dhënat e reja për vdekjet nga vetëvrasjet, të raportuara nga QKPS-ja, tregojnë pse”- tha në një deklaratë sekretari i Shëndetësisë i ShBA-së, Xavier Becerra.

Ai shtoi se shumë njerëz ende besojnë se kërkimi i ndihmës është dobësi, raporton agjencia “Reuters”.

Shkalla e vetëvrasjeve në vitin 2022 – 14,9 vdekje për çdo 100 mijë njerëz – është për 5 për qind më e lartë se rekordi i mëparshëm prej 14,2 vdekjesh për 100 mijë njerëz, i regjistruar më 2018.

Qendrat për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thanë se numri i vetëvrasjeve u rrit nga 48.183 më 2021 në 49.449 më 2022.

“Diçka nuk po shkon. Numri nuk duhet të shkojë duke u rritur”- tha Christina Wilbur, 45-vjeçare nga Florida, djali i së cilës e vrau veten me armë zjarri vitin e kaluar.

“Djali im nuk duhej të vdiste. E di se është e ndërlikuar, vërtet e di, por ne duhet të jemi në gjendje që të bëjmë diçka, diçka që nuk jemi duke bërë, sepse çfarëdo që jemi duke bërë tani nuk po ndihmon”- shtoi ajo.

Ekspertët paralajmërojnë se vetëvrasja është çështje e ndërlikuar dhe se shtimi i rasteve rishtazi mund të jetë nxitur nga disa faktorë, përfshirë nivelin më të lartë të depresionit dhe qasjen e kufizuar në shërbime të shëndetit mendor.

Megjithatë, një nxitëse kryesore është qasja në rritje në armë, tha Jill Harkavy-Friedman, nëndrejtoreshë e hulumtimeve në Fondacionin Amerikan për Parandalimin e Vetëvrasjes.

Lajme të ngjashme