Notarja shpëtohet 80 kilometra larg bregdetit të Japonisë, 36 orë pasi ishte tërhequr nga uji
Një grua që ishte tërhequr në ujë larg bregdetit gjatë notimit në një plazh të Japonisë është shpëtuar rreth 80 kilometra larg bregut, 36 orë pas zhdukjes së saj, kanë thënë zyrtarët.
Shtetasja 21-vjeçare kineze kishte qenë duke notuar në plazhin Shirahama Ohama rreth orës 19 e 30 minuta të hënën me një shoqe, tha të enjten roja bregdetare, raporton gazeta “The Guardian”.
Autoritetet nisën një operacion kërkim-shpëtimi, pasi shoqja e saj e kishte ngritur alarmin në plazh në rajonin qendror Shizuoka po atë mbrëmje.
“Ishte ora rreth 19 e 55 minuta më 8 korrik, kur e pranuan informatën, pasi shoqja e gruas raportoi në një dyqan të afërt se ajo ishte zhdukur” – tha një zyrtar lokal i rojës bregdetare.
Gruaja, emri i së cilës nuk u publikua, u tha shpëtuesve se ishte tërhequr në det dhe nuk mund të kthehej në plazh, përderisa po notonte me një gomë me ajër.
Ajo më në fund u vërejt mbi ujë afër skajit jugor të gadishullit Boso nga një anije mallrash në orën 7 e 48 minuta të mëngjesit të së mërkurës, tha zyrtari japonez.
Dy anëtarë të ekuipazhit të një anije më të vogël aty afër ishin kontaktuar me radio dhe kërcyen në det për ta shpëtuar gruan.
“Janë 80 kilometra në vijë të drejtë [mes plazhit dhe pikës së shpëtimit]… por supozohet se ajo kishte lëvizur në largësi edhe më të madhe” – shtoi zyrtari.
Gruaja u dërgua në spital pas shpëtimit, por nuk kishte nevojë të pranohej, sepse ishte me vetëdije të plotë dhe dehidrimi i saj nuk ishte në nivel për t’ia rrezikuar jetën.