Norvegjia planifikon zvogëlim milionësh të taksave për 100 mijë punëtorë të moshës së re
Norvegjia planifikon që të përzgjedhë në mënyrë rastësore 100 mijë njerëz të lindur mes viteve 1990 e 2005, të cilët do të përfitojnë zvogëlim të taksave vjetore deri në 2.700 dollarë për disa vjet, me qëllim që të matet efekti i këtij veprimi në të ardhura dhe në punësim, tha të martën Qeveria e udhëhequr nga Partia Laburiste.
Të ballafaquara me pagesa të sigurisë sociale në rritje dhe me mungesë të punëtorëve në shumë sektorë, disa qeveri norvegjeze njëra pas tjetrës kanë eksploruar mënyra për ta fuqizuar pjesëmarrjen në tregun e punës përmes ndryshimit të rregullave rreth mbështetjes financiare shtetërore dhe përmirësimit të trajnimeve profesionale, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Megjithatë, propozimi i së martës nga ministri i Financave, Jens Stoltenberg, dhe ministrja e Punës, Tonje Brenna, e çon më tej këtë hap, duke ofruar zvogëlim taksash për rreth 8 për qind për punëtorët e moshave nga 20 deri 35-vjeçare, ndërsa pjesa tjetër nuk përfiton ndonjë ndryshim.
Nëse masa miratohet nga Kuvendi, grupi prej 100 mijë njerëzve do të bëhen pjesë e një studimi akademik dhe do të përfitojnë zvogëlim taksash deri në 27,500 krona norvegjeze në vit për tri deri në pesë vitet e ardhshme.
Këta punëtorë do të krahasohen me ata që nuk përfitojnë nga zvogëlimi i taksave. “Kjo do të na japë të dhëna në lidhje me atë se a e fuqizon vërtet punësimin e të rinjve një zvogëlim i taksave dhe për atë se sa do të punojnë më shumë ose më pak ata që tashmë kanë në vend pune” – tha në një deklaratë Ministria e Financave.
Sipas kësaj ministrie, masa e propozuar pritet t’i kushtojë shtetit rreth 500 milionë krona norvegjeze (49 milionë dollarë) në vit.
Norvegjia ka një fond sovran të pasurisë prej 1,8 trilion dollarësh – më i madhi në botë – dhe shpenzon dhjetëra miliarda dollarë nga ky fond për çdo vit./Nacionale