Nobeli për Fizikë u jepet dy shkencëtarëve për punën rreth inteligjencës artificiale
Çmimi Nobel për Fizikë këtë vit iu dha shkencëtarëve John Hopfield dhe Geoffrey Hinton për “zbulimet themeltare” të tyre që e mundësojnë të nxënit e makinave me rrjete artificiale nervore.
“Edhe pse kompjuterët nuk mund të mendojnë, makinat tani mund të imitojnë funksione si kujtesa dhe të nxënit. Laureatët e këtij viti në fizikë kanë ndihmuar që kjo të bëhet e mundur” – thuhet në deklaratën e Komitetit të Nobelit, raporton televizioni CNN.
Komiteti njoftoi ndarjen e shpërblimit në Suedi. Vlera monetare është 11 milionë krona suedeze (afro 1 milion euro).
Hopfield nga Universiteti i Princeton-it dhe Hinton nga Universiteti i Torontos u çmuan për ndërtimin e themeleve për të nxënit e makinave që fuqizojnë shumë prej produkteve të sotme.
“Duke përdorur koncepte dhe metoda fundamentale nga fizika, ata kanë zhvilluar teknologji që përdorin struktura në rrjete për të procesuar të dhëna” – tha Komiteti i Nobelit, duke shtuar se kjo ka bërë që zhvillimi i të nxënit të makinave të “shpërthejë” gjatë dy dekadave të kaluara.