Njerëzit mbesin të ngujuar në Sudan, diplomatët e huaj ikën pa ua kthyer pasaportat - NACIONALE

Njerëzit mbesin të ngujuar në Sudan, diplomatët e huaj ikën pa ua kthyer pasaportat

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një numër në rritje i njerëzve në Sudan po thonë se kanë mbetur të ngujuar në këtë shtet, sepse punëtorët e ambasadave të vendeve perëndimore kanë ikur nga konflikti pa ua kthyer pasaportat, të cilat sudanezët i kishin dorëzuar gjatë aplikimit për vizë.

Diplomatët nga të paktën tri misione perëndimore nuk kanë pasur mundësi që të kenë qasje në dokumentet e udhëtimit që u përkasin shtetasve sudanezë, sipas nëntë dëshmive të analizuara nga televizioni CNN.

Punëtorët e shumicës së ambasadave perëndimore në Sudan u evakuuan një javë pas fillimit të luftimeve, duke lënë shumë aplikues sudanezë për viza pa dokumentet e tyre të udhëtimit e të bllokuar në aspektin ligjor.

Në disa raste, ambasadat i kanë këshilluar njerëzit që të aplikojnë për pasaporta të reja pavarësisht se dhuna e ka ndërprerë ofrimin e shërbimeve, sipas disa komunikimeve që i ka parë televizioni amerikan.

Në një rast, një zyrtar suedez sugjeroi që aplikuesi sudanez për vizë të përdorte një fotokopje të pasaportës së tij në vend të pasaportës.

Shtetasit sudanezë që folën për televizionin CNN i akuzuan ambasadat për neglizhencë, duke e penguar daljen e tyre të ligjshme jashtë shtetit, ku nga dhuna kanë vdekur të paktën 512 persona.

Ministria e Jashtme e Holandës konfirmoi se një numër i pasaportave sudaneze janë lënë në ambasadë pas mbylljes së saj me efekt të menjëhershëm për shkak të konfliktit.

Ministria e Jashtme e Italisë i tha televizionit CNN se ishte e vetëdijshme për këtë problem dhe se do të mundohet që t’ua kthejë pasaportat sudanezëve sa më shpejt që është e mundshme.

Një zëdhënës i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq i tha televizionit se kjo organizatë e ndihmave nuk lëshon dokumente urgjente të udhëtimit për shtetasit sudanezë që mundohen të largohen nga vendi.

Lajme të ngjashme