Një zyrtar qeveritar gjerman akuzohet se ka spiunuar për Rusinë, arrestohet
Një zyrtar qeveritar është arrestuar në Gjermani, pasi është akuzuar për furnizimin e Rusisë me të dhëna sekrete.
Personi i arrestuar është identifikuar vetëm si Thomas H, në vijë me rregullat e privatësisë në Gjermani, raporton televizioni BBC.
Ai punonte në një zyrë që merret me pajisje ushtarake dhe teknologji të informacionit.
Dyshohet se punëtori kishte shkuar me nismën e tij në ambasadën ruse në Berlin si dhe në konsullatën e këtij shteti në Bonn, ku i kishte ofruar shërbimet e tij.
I dyshuari u soll para një gjykatësi të mërkurën dhe u ndalua, në pritje të gjykimit.
“Prokurori federal ka arrestuar një oficer gjerman nën dyshimin për punë për një shërbim sekret të huaj”- shkroi në rrjetin “X” ministri i Drejtësisë i Gjermanisë, Marco Buschmann.
Dyshohet se burri kishte dorëzuar të dhëna që i kishte siguruar gjatë rrjedhës së punës së tij me qëllim që ato t’i dërgoheshin shërbimit rus të inteligjencës, tha zyra e prokurorit federal.
Ai u arrestua në Koblenz, në pjesën perëndimore të Gjermanisë, ndërsa shtëpia dhe vendi i tij i punës janë bastisur, thuhet më tej në njoftim.
Arrestimi i këtij personi erdhi pas paralajmërimit të agjencisë gjermane për siguri të brendshme, BfV, në qershor kundër rrezikut për një “operacion agresiv rus të spiunazhit”, përderisa Moska po e vazhdon luftën e saj në Ukrainë.
Në janar, një shtetas gjerman u arrestua nën dyshimin për tradhti, pasi dyshohej se ishte përfshirë në një skemë për t’i dërguar Rusisë informacione të inteligjencës.
