Një vrasës serik anglez e fiton të drejtën për t’u martuar në burg
Vrasësi serik anglez, Levi Bellfield, do të mund të martohet me të dashurën e tij në burg, pasi shefat e burgut u detyruan që të pranonin se nuk mund t’ia ndalnin këtë veprim sipas ligjeve ekzistuese.
55-vjeçari është duke e vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm në Durham për vrasjen e tri grave të reja, përfshirë nxënësen 13-vjeçare, Milly Dowler, raporton gazeta “Independent”.
Thuhet se vrasësi famëkeq kishte kërcënuar se do të ndërmerrte masa ligjore, pasi kërkesa e tij për t’u martuar me një grua ishte bllokuar nga drejtori i burgut.
Mediumi “The Sun” raporton se ai kishte fituar 30 mijë funte ndihmë ligjore dhe kishte pretenduar se po diskriminohej, pasi i ishte ndaluar mbajtja e një unaze fejese.
Sekretari i Drejtësisë, Alex Chalk, pasi ishte këshilluar se departamenti i tij nuk do të mund të bënte asgjë për ta parandaluar martesën, sepse avokatët e të dënuarit thanë se ky veprim do t’i shkelte Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Aktin e Martesës të vitit 1983.
Disa zyrtarë të lartë, përfshirë ish-sekretarin e Drejtësisë, Dominic Raab, janë zotuar se do ta ndryshojnë ligjin për t’ua parandaluar martesat brenda burgjeve të dënuarve me burgim të përjetshëm. Sidoqoftë, legjislacioni i ri, i paraqitur në mars, nuk do të hyjë në fuqi me kohë për t’ia parandaluar martesën vrasësit Bellfield.