Një udhëheqës opozitar arrestohet pas natës së katërt me protesta në Gjeorgji
Policia gjeorgjiane arrestoi një udhëheqës të njohur opozitar të hënën herët, pasi përdori kamion me ujë dhe gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit anti-qeveritarë që ishin grumbulluar afër ndërtesës së Kuvendit për ditën e katërt rresht.
Protestat u nxitën nga njoftimi i Qeverisë javën e kaluar se do t’i pezullonte bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kritikët e panë këtë si vërtetim të largimit nga politikat pro-perëndimore, nën ndikimin rus, diçka që partia në pushtet e mohon, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Koalicioni për Ndryshim, partia më e madhe opozitare në vend, tha në një shkrim në rrjetin X se Zurab Japaridze, njëri nga udhëheqësit e saj, ishte arrestuar nga policia përderisa po largohej nga protesta.
Në pamje shihej Japaridze duke u vendosur në një automjet pa shenja nga policë të maskuar. Nuk qe e qartë nëse kundër tij do të ngrihej akuzë për ndonjë shkelje.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur alarm për atë që e cilësojnë si hap prapa në demokraci nga Gjeorgjia, shtet me 3,7 milionë njerëz që shtrihet në kufirin mes Evropës e Azisë dhe që dikur ka qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik.
Rusia mohon se ndërhyn në vendin fqinj, por ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, paralajmëroi të dielën se Gjeorgjia “po lëviz shpejt përgjatë rrugës ukrainase, drejt humnerës së errët”, duke shtuar: “Zakonisht ky lloj gjëje përfundon shumë keq.”
Të dielën në mbrëmje, protestuesit u grumbulluan përsëri në Tbilisi, në qendër të qytetit. Disa hodhën fishekzjarrë drejt policëve, të cilët u kundërpërgjigjën me ujë dhe gaz lotsjellës./Nacionale