CNN: Sulmet e drejtpërdrejta Izrael – Iran kanë mbaruar - NACIONALE

CNN: Sulmet e drejtpërdrejta Izrael – Iran kanë mbaruar

1 javë më parë

nga NACIONALE

(Artikull i përditësuar) CNN: Sulmet e drejtpërdrejta Izrael – Iran kanë mbaruar

Një burim rajonal i inteligjencës me njohuri për reagimin e mundshëm të Iranit ndaj sulmit të së premtes, i cili sipas një zyrtari amerikan u krye nga Izraeli, tha se sulmet e drejtpërdrejta shtet – shtet mes dy armiqve kanë mbaruar.

Ky burim, i cili nuk ishte i autorizuar për të folur publikisht, foli me televizionin CNN në kushte anonimiteti rreth dy orë e gjysmë pasi televizioni amerikan raportoi së pari për sulmet.

Burimi tha se, aq sa di ai, Irani nuk pritet që t’u kundërpërgjigjet sulmeve, por nuk dha një arsye.

Zyrtarët qeveritarë iranianë deri më tani janë munduar që ta minimizojnë ndikimin e sulmit të së premtes.

Ushtria izraelite nuk ka komentuar dhe Irani nuk e ka identifikuar burimin e sulmit.

_______________

Sulmi izraelit ndaj Iranit, rriten çmimet e naftës

Çmimet e naftës dhe arit janë rritur, pasi zyrtarët amerikanë thanë se një raketë izraelite e ka goditur Iranin.

Çmimi në bursën ndërkombëtare “Brent” u rrit për 1,8 për qind dhe shkoi në 88 dollarë për një fuçi nafte të papërpunuar, ndërsa çmimi i arit për pak kohë iu afrua rekordit, para se të lirohej përsëri, raporton televizioni BBC.

Investitorët e kanë përcjellë me kujdes reagimin e Izraelit ndaj sulmit të drejtpërdrejtë të Iranit me dronë e raketa fundjavën e kaluar.

Ka shqetësime se përkeqësimi i konfliktit në Lindje të Mesme mund ta pengojë furnizimin me naftë.

Çmimi i naftës fillimisht u rrit për 3,5 për qind, por ra përsëri, pasi mediat shtetërore iraniane thanë se “nuk ka dëme” në provincën Isfahan, ku kishte raportime për shpërthime.

Rritja e ndjeshme dhe e qëndrueshme e çmimit të naftës paraqet rrezik për ngritjen e inflacionit. Shtetet varen shumë nga kjo lëndë.

________________

Ministri ekstremist izraelit, Ben Gvir, i pakënaqur me sulmin ndaj Iranit: Dobët!

Sipas burimeve, izraeli kreu një sulm në territorin e Iranit të premten herët, disa ditë pasi Irani kreu një sulm të pashembullt me shumë dronë e raketa kundër Izraelit. Sidoqoftë, duket se dikush në Izrael nuk është i kënaqur me rezultatin.

Ministri i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, Itamar Ben Gvir, i cili ka qëndrime të së djathtës ekstreme, në rrjetin social X shkroi shkurt: “Dobët!”, raporton agjencia “Reuters”.

Ky ministër njihet për qëndrimet e ashpra ndaj palestinezëve dhe për kritikat ndaj veprimeve të ndryshme të autoriteteve izraelite.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore tha më herët se nuk ka dëme ndaj qendrave bërthamore të Iranit. Nuk është raportuar as për viktima. Kjo agjenci bëri thirrje për vetëpërmbajtje të skajshme nga të gjitha palët.

Zëvendësministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot, tha: “E tëra që mund të them është që pozicioni i Francës është t’u bëjë thirrje të gjithë aktorëve për de-eskalim dhe përmbajtje.”

_________________

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore: S’ka dëme ndaj qendrave bërthamore të Iranit

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore thotë se nuk ka dëme ndaj qendrave bërthamore të Iranit.

Përmes një shkrimi të publikuar në rrjetin X, kjo agjenci thotë se po vazhdon që ta vëzhgojë situatën për së afërmi dhe bën thirrje për përmbajtje të skajshme nga të gjitha palët, duke theksuar se “objektet bërthamore nuk duhet të jenë kurrë cak në konflikte ushtarake”, raporton gazeta “The Guardian”.

Në zonën e qytetit Isfahan të Iranit u dëgjuan shpërthime. Ajo pjesë përmendet si e ndërlidhur me programin bërthamor të Iranit.

Më herët, televizioni shtetëror iranian i përshkroi si “plotësisht të sigurta” të gjitha qendrat bërthamore të vendit.

Gjeneral Siavosh Mihandoost, komandant lokal ushtarak, gjithashtu tha se incidenti “nuk ka shkaktuar dëme” përreth Isfahanit.

___________________

Australia u bën thirrje qytetarëve të vet që të largohen nga Izraeli pas sulmit ndaj Iranit

Departamenti Qeveritar i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë i Australisë u ka bërë thirrje shtetasve australianë në Izrael që “të largohen, nëse është e sigurt të veprohet ashtu”.

“Ekziston një rrezik i lartë i hakmarrjeve ushtarake dhe sulmeve terroriste kundër Izraelit dhe interesave izraelite në mbarë rajonin. Situata e sigurisë do të mund të përkeqësohej shpejt. Ne u bëjmë thirrje australianëve në Izrael ose në Territoret e Pushtuara Palestineze që të largohen, nëse është e sigurt të veprohet ashtu” – thuhet në një shkrim të faqes “Smart Traveller” në rrjetin X, që publikon këshilla nga ky departament, raporton televizioni CNN.

Departamenti australian paralajmëroi se “sulmet ushtarake mund të rezultojnë në mbyllje të hapësirës ajrore, anulime të fluturimeve, ndryshim të drejtimit të tyre dhe pengesa të tjera të udhëtimit”.

Ky institucion është i shqetësuar se aeroporti ndërkombëtar “Ben Gurion” në Tel Aviv “mund t’i pauzojë operacionet për shkak të shqetësimeve të shtuara të sigurisë në çfarëdo kohe dhe me njoftim të shpejtë”.

___________________

Një raketë izraelite e ka goditur Iranin, i kanë thënë dy zyrtarë amerikanë televizionit CBS.

Mediat shtetërore iraniane po raportojnë se fluturimet janë pezulluar mbi disa qytete, sipas agjencisë “Associated Press”, raporton televizioni BBC.

Irani ka qenë në gjendje të lartë gatishmërie, pasi Izraeli kishte thënë se do t’i kundërpërgjigjej sulmit iranian të së shtunës.

Forcat iraniane shkrepën bateri të mbrojtjes ajrore në një bazë të rëndësishme ajrore dhe në një qendër bërthamore afër qytetit Isfahan, pasi disa dronë u vërejtën të premten herët në mëngjes, duke shkaktuar frikë për një hakmarrje të mundshme nga Izraeli për sulmin e pashembullt me dronë e raketa, raporton agjencia “Associated Press”.

Nuk qe e qartë nëse Irani është sulmuar dhe asnjë zyrtar iranian nuk e pranoi drejtpërdrejt këtë mundësi. Ushtria izraelite nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Gazeta e njohur amerikane, “The New York Times”, citoi zyrtarë anonimë izraelitë që e morën përgjegjësinë për sulmin.

Televizioni shtetëror iranian raportoi se bateritë e mbrojtjes ajrore u shkrepën në disa provinca pas raportimeve për disa dronë që ishin parë në ajër.

___________________

Irani thotë se ka rrëzuar tre dronë

Sipas një zyrtari iranian, sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan tre dronë të premten, ndërsa mediat shtetërore iraniane thanë se nuk është raportuar për sulme ose shpërthime të nivelit të lartë pas shpërthimeve afër qytetit Isfahan.

Tre dronë “u rrëzuan me sukses nga mbrojtja ajrore e vendit, nuk ka raportime për një sulm me raketë tash për tash”, shkroi në rrjetin X zëdhënësi i Qendrës Kombëtare të Hapësirës Kibernetike në Iran, Hossein Dalirian.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, IRNA, sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan në disa rajone si masë parandaluese kundër rreziqeve të mundshme ajrore.

Lajme të ngjashme