Një luftë e madhe do ta shkatërronte ushtrinë për gjashtë muaj, thotë ministri britanik
Ushtria e rregullt britanike do të mund të shkatërrohej për gjashtë muaj, nëse do të detyrohej që të luftonte në një luftë të nivelit të konfliktit në Ukrainë, ka paralajmëruar një ministër.
Alistair Carns tha se një shkallë e viktimave e ngjashme me atë që është shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës do të çonte në “harxhimin” e ushtrisë brenda gjashtë deri 12 muajve, raporton televizioni BBC.
Ai tha se kjo e ilustron rëndësinë e posedimit të ushtarëve rezervë që vendi të jetë në gjendje të luftojë në një “luftë në masë”.
Sipas të dhënave zyrtare, ushtria britanike kishte 109 mijë e 245 pjesëtarë të personelit më 1 tetor, përfshirë 25 mijë e 814 rezervistë vullnetarë.
Carns, ish-kolonel i Marinës Mbretërore, i cili gjithashtu është rezervist, tha se Rusia është duke pësuar humbje prej rreth 1.500 ushtarësh në ditë, të vrarë ose të plagosur.
“Në një luftë në masë – jo ndërhyrje e kufizuar, por një e ngjashme me Ukrainën – ushtria jonë për shembull në shkallën e tanishme të viktimave, do të harxhohej, si pjesë e një koalicioni më të gjerë shumëkombësh, në gjashtë muaj deri në një vit” – shtoi ai.
Në një fjalim rreth ushtarëve rezervë në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, organizatë rreth fushës së mbrojtjes, ministri për veteranë dhe popull tha: “Kjo nuk do të thotë që të thuhet se kemi nevojë për një ushtri më të madhe, por do të thotë se ne duhet të jemi në gjendje që të gjenerojmë thellësi dhe masë shpejt në rast të një krize. Rezervistët janë kritikë, absolutisht qendrorë në këtë proces” – tha më tej Carns.
“Pa ta, ne nuk mund të gjenerojmë masë, nuk mund ta përmbushim bollëkun e detyrave dhe sfidave të mbrojtjes që ne i kërkojmë dhe nuk mund t’i integrojmë pa telashe ekspertët më të mirë në zemër të forcave tona të armatosura” – paralajmëroi zyrtari britanik.