Një i vrarë e 14 të plagosur nga sulmi rus në Odesa të Ukrainës
Një person u vra dhe të paktën 14 të tjerë u plagosën, kur dronët rusë e sulmuan gjatë natës qytetin jugor ukrainas, Odesa, duke dëmtuar ndërtesa shumëkatëshe dhe infrastrukturën hekurudhore, thanë të premten autoritetet lokale dhe prokurorët.
Odesa është porti më i madh i Ukrainës në Detin e Zi, kyç për importe dhe eksporte, dhe ka qenë nën sulme të vazhdueshme me raketa e dronë nga forcat ruse që nga fillimi i luftës më 2022, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Pavarësisht nga puna aktive e forcave të mbrojtjes ajrore, ka dëme ndaj infrastrukturës civile, përfshirë ndërtesat e banimit, një institucion të arsimit të lartë, një gazsjellës dhe veturat private” – tha guvernatori rajonal, Oleh Kiper.
Shërbimi emergjent lokal tha se gjatë sulmit u përdorën të paktën 10 dronë ndaj ndërtesave të banimit, duke shkaktuar zjarre masive.
Forca ajrore ukrainase tha të premten se Rusia kishte hedhur 86 dronë drejt Ukrainës gjatë natës së kaluar.
Ushtria theksoi se forca e saj ajrore kishte rrëzuar 34 dronë, ndërsa 36 të tjerë u humbën – në kuptimin që ushtria ka përdorur pajisje elektronike të luftës për t’ua ndryshuar drejtimin atyre – ose ishin dronë simulues që nuk bartnin lëndë shpërthyese.
Kompania shtetërore e hekurudhave raportoi se stacioni i trenit në Odesa u dëmtua gjatë sulmit. Të dëmtuar mbetën telat e rrymës dhe binarët.
Sulme ruse me dronë gjatë natës së kaluar pati edhe në Khakriv, në pjesën verilindore të Ukrainës, ku u dëmtuan disa shtëpi private, thanë zyrtarët atje./Nacionale