Një i vdekur e shtatë të plagosur në Napoli, fataliteti s’ishte i lidhur me festën e tifozëve
Një burrë vdiq nga plagët e shkaktuara nga arma dhe shtatë të tjerë u lënduan gjatë natës së mbrëmshme në Napoli të Italisë, pasi qyteti “shpërtheu” në festë pas shpalljes kampion të klubit me të njëjtin emër, njoftoi të premten një zyrtar lokal.
Festa filloi të enjten vonë, pasi Napoli e siguroi titullin e parë të kampionit në futbollin italian pas 33 vjetëve pas barazimit me rezultat 1 – 1 me Udinesen, raporton agjencia “Reuters”.
Disa orë më pas, një burrë vdiq nga plagët e shkaktuara nga arma, por incidenti nuk pati lidhje me festën e tifozëve, tha prefekti i Napolit, Claudio Palomba.
Agjencia ANSA dhe agjenci të tjera italiane të lajmeve raportuan se të afërmit dhe miqtë e viktimës e vandalizuan dhomën e urgjencës ku ishte dërguar personi.
Palomba tha se policia është duke e hetuar rastin, duke shtuar se nga shtatë personat e lënduar gjatë natës, disa pësuan lëndime nga fishekzjarrët.
Festa e madhe ishte e pritshme në Napoli për fitimin e titullit të kampionit dhe autoritetet kishin ndërmarrë disa masa në përpjekje për ta zvogëluar rrezikun ndaj rendit publik.
Qendra e qytetit u rezervua vetëm për këmbësorë dhe fishekzjarrët u ndaluan, por ky vendim nuk i ndaloi tifozët që të festonin me mjete të tilla tërë natën.