Një i vdekur e ndërtesa të shembura: Pamje nga pasojat e tërmetit prej 6,1 shkallësh në Turqi - NACIONALE

Një i vdekur e ndërtesa të shembura: Pamje nga pasojat e tërmetit prej 6,1 shkallësh në Turqi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një person e humbi jetën të dielën, kur një tërmet me fuqi prej 6,1 shkallësh e goditi provincën Balikesir në veriperëndim të Turqisë, tha ministri i Punëve të Brendshme, Ali Yerlikaya.

Ai shtoi se 29 persona kanë pësuar lëndime dhe 16 ndërtesa janë shembur, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Autoriteti turk për menaxhimin e katastrofave, AFAD, tha se tërmeti ndodhi rreth orës 19 e 53 minuta dhe u ndie në disa province, përfshirë edhe qytetin më të madh të vendit, Stambollin.

Ministri Yerlikaya tha se një person 81-vjeçar vdiq, pasi fillimisht ishte nxjerrë i gjallë nga rrënojat nga ekipet emergjente.

Ai shtoi se operacionet e kërkim-shpëtimit ishin përmbyllur dhe se nuk kishte shenja të tjera për viktima apo dëme serioze.

Agjencia AFAD tha se epiqendra e dridhjes ishte 11 kilometra nën sipërfaqen e tokës, ndërsa Qendra Hulumtuese Gjermane e Gjeoshkencave (GFZ) tha se fuqia e tërmetit ishte 6,19 shkallë, me thellësi prej 10 kilometrash nën sipërfaqen e tokës./Nacionale

Lajme të ngjashme