Një helikopter rrëzohet mbi një hotel në Australi, vdes piloti
Një pilot ka vdekur, pasi helikopteri që po e drejtonte u përplas në kulmin e një hoteli në qytetin Cairns të Australisë.
Helikopteri e goditi hotelin “Double Tree by Hilton” rreth orës 1 e 50 minuta pas mesnatës sipas kohës lokale, të hënën, duke shkaktuar një zjarr dhe duke e nxitur evakuimin e qindra mysafirëve, raporton televizioni BBC.
Autoritetet thonë se personi i vetëm që ndodhej në helikopter vdiq në vendin e ngjarjes, ndërsa dy mysafirë të hotelit – një burrë në të tetëdhjetat dhe një grua në të shtatëdhjetat – u dërguan në spital në gjendje stabile.
Policia në Queensland dhe autoriteti i sigurisë së aviacionit po i hetojnë rrethanat e përplasjes, ndërsa kompania që operonte me atë helikopter tha se mjeti ishte në një fluturim “të paautorizuar”.
Amanda Kay, që ishte duke qëndruar në hotel, tregoi se si e kishte parë helikopterin duke fluturuar “shumë ulët”, pa drita në mot me shi. “U soll dhe e goditi ndërtesën” – tha ajo.
Një dëshmitare tjetër tha se e kishte parë helikopterin duke fluturuar pranë hotelit dy herë në çastet para përplasjes. “Ai helikopter po shkonte shpejt. E pabesueshme. Thjesht po dilte nga kontrolli” – shtoi ajo.
Dy tehe të rotorit të helikopterit u shkëputën nga trupi i tij pas përplasjes dhe ranë në një shëtitore dhe në pishinën e hotelit, sipas shërbimit ambulantor në Queensland.
Byroja Australiane për Sigurinë e Transportit tha se ishte duke i dërguar hetuesit e vet në vendin e ngjarjes.
Rrugët përreth hotelit ishin rrethuar dhe policia kishte shpallur gjendje të jashtëzakonshme.
I shtrirë në pjesën veriore të shtetit Queensland, qytetit Cairns është destinacion i popullarizuar turistik./Nacionale