Një dron amerikan raportohet se ka rënë afër një zone ushtarake në Poloni
Një dron zbulues ushtarak u përplas në pjesën jugperëndimore të Polonisë të martën vonë, raportoi të premten transmetuesi privat polka, RMF FM.
Droni u gjet në pyll afër fshatit Trzebien, pasi një kalimtar rasti i telefoni shërbimet emergjente dhe u tha se kishte parë një objekt duke u rrëzuar në atë zonë, raportoi RMF-ja. Vendi ku ka rënë droni ndodhet afër një zone për trajnime ushtarake, sipas këtij mediumi, përcjell agjencia “Reuters”.
Aleksander Kucharczyk nga shërbimi i zjarrfikësve në Wroclaw tha se askush nuk është lënduar nga incidenti dhe se atij i është thënë nga një përfaqësues i ushtrisë se bëhet fjalë për një dron zbulues.
Nuk është e qartë se nga kishte ardhur droni. Ministria e Mbrojtjes e Polonisë nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Sidoqoftë, mediumi polak raportoi se bëhet fjalë për një dron amerikan dhe, sipas të gjeturave jozyrtare të RMF-së, amerikanët ishin duke bërë praktikë në një zonë trajnimi afër vendit ku ra droni.
Sipas asaj që ka dëgjuar reporteri i RMF-së, droni “u kishte ikur” ushtarëve gjatë trajnimit.
Merret vesh se nuk kishte shpërthim ose zjarr pas rënies së dronit.