Një delegacion i Hamasit pritet sot në Kajro për ta shqyrtuar planin e Egjiptit për armëpushim
Një delegacion i Hamasit pritet të arrijë të premten në Kajro për të shqyrtuar një plan të Egjiptit për armëpushim që do t’i jepte fund luftës në Gaza, tha një zyrtar i Hamasit.
Plani u ishte paraqitur javën e kaluar zyrtarëve të Hamasit e të Xhihadit Islamik, i cili gjithashtu po lufton kundër forcave izraelite në Gaza, raporton gazeta “The Guardian”.
Burime të afërta me Hamasin thonë se plani i Egjiptit është i ndarë në tri faza dhe me të propozohen armëpushime të ripërtëritshme, lirim të pengjeve në faza në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë në Izrael dhe në fund një armëpushim që do t’i jepte fund luftës së nxitur nga sulmi i Hamasit në Izral më 7 tetor, raporton agjencia AFP.
Ky plan parasheh edhe një qeveri palestineze të teknokratëve pas bisedimeve që do t’i përfshinin “të gjitha grupet palestineze”, që do të ishte përgjegjëse për qeverisjen dhe rindërtimin në Gaza pas luftës.
Zyrtari i Hamasit, duke folur në kushte anonimiteti, i tha agjencisë AFP ë enjten për vizitën e planifikuar: “Një delegacion i nivelit të lartë nga zyra politike e Hamasit do ta vizitojë Kajron nesër për t’u takuar me zyrtarë egjiptianë dhe ta japin përgjigjen e grupeve palestineze, përfshirë disa vërejtje, për planin e tyre.”
Më tej, zyrtari i Hamasit tha se këto vërejtje janë të përqendruara në “modalitetet e shkëmbimeve të planifikuara dhe numrin e të burgosurve palestinezë që do të lirohen, si dhe marrjen e garancive për një tërheqje të plotë ushtarake izraelite nga Gaza”.
Katari, i përkrahur nga Egjipti e Shtetet e Bashkuara, muajin e kaluar dha ndihmë për arritjen e një armëpushimi njëjavor, gjatë të cilit 80 pengje izraelite u liruan në këmbim të lirimit të 240 të burgosurve palestinezë.