Një bombë nukleare e Amerikës mund të jetë dëmtuar pa dashje në Holandë - NACIONALE

Një bombë nukleare e Amerikës mund të jetë dëmtuar pa dashje në Holandë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një prej bombave nukleare të ShBA-ve që ndodhet në një bazë ajrore në Holandë mund të jetë dëmtuar në një aksident të fundit, sipas një raporti të publikuar gjatë ditës së sotme.

Ky raport doli në kohën kur një gjeneratë e re e armëve pritet të vijë në kontinentin evropian.

“Federata e Shkencëtarëve Amerikanë (FAS) ka zbuluar fotografi të bombës B61 që po inspektohej për dëmtimet e pësuara nga ushtarët amerikanë...”shkruan The Guardian, raporton Nacionale.

Siç u tha nga ky raport, fotografia ku paraqitej dëmtimi ishte përfshirë në një prezantim për studentë që aplikonin për punë në Laboratorin Kombëtar Los Alamos në New Mexico.

Çdo dëmtim i armëve nukleare njihet si incident “i shtizës së përkulur” dhe mbahet përgjithësisht sekret. Një zëdhënës për forcat ajrore të ShBA-ve në Evropë nuk deshi të komentonte direkt fotografinë në fjalë.

“Nuk është politikë amerikane që ne mund të konfirmojmë apo mohojmë prezencën apo mungesën e armëve nukleare në çfarëdo lokacioni gjeneral apo specifik, përfshirë ushtrimet specifike apo operacionet e njëmendta,” – u shpreh ky zëdhënës.

Bomba B61 është e vetmja armë taktike nukleare që i ka mbetur arsenalit të ShBA-ve, dhe 100 prej tyre janë të vendosura në Holandë, Belgjikë, Gjermani, Itali dhe Turqi.

Bombat janë në pronësi të ShBA-ve, por forcat e të pesë shteteve të lartpërmendura (plus Greqia) janë të trajnuara se si t’i vendosin ato në aeroplane.

Nëse do të kishte ndonjë rast armiqësie, do të kërkohej menjëherë marrëveshje me ShBA-të, grupin e planifikimit nuklear të NATO-s apo nga ndonjë aranzhim i caktuar që armët të transferoheshin te aeroplanët e aleatëve.

Aktivistët që kërkojnë kontroll mbi armët kanë avokuar gjatë se B61-shi ishte i vjetruar ushtarakisht dhe duhej të hiqen nga Evropa.

Administrata Obama kishte menduar për një kohë që t’i hiqte por kishte hasur në rezistencë nga aleatët evropianë që e shihnin si simbolikë të ombrellës nukleare të ShBA-ve.

Tash pritet që një version i ri, B61-12, të mbërrijë në Evropë.

Lajme të ngjashme