Një 20-vjeçar i dyshuar: Çka dihet deri tani për tentim atentatin ndaj Trumpit?
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është lënduar me armë zjarri gjatë një tubimi Pensilvani. Trump ka reaguar pas tentim atentatit, teksa i dyshuari për këtë rast ka mbetur i vrarë. Çka dihet deri më tani?
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, u lëndua në veshin e tij të djathtë derisa po mbante një fjalim në tubimin e tij në Pensilvani.
Agjentët e Shërbimit Sekret të ShBA-së e larguan shpejt nga skena ish-presidentin dhe kandidatin për zgjedhjet presidenciale, Donald Trump.
Ndërkohë, ish-presidentit i ShBA-së, Donald Trump ka reaguar pas atentatit ndaj tij, duke përshkruar momentin e sulmit.
“E kuptova menjëherë se diçka nuk shkonte në atë që dëgjova, një zhurmë, të shtëna, dhe menjëherë ndjeva se plumbi po çante nëpër lëkurë. Kisha shumë gjakderdhje, kështu që atëherë kuptova se çfarë po ndodhte.” – ka thënë Trump.
Ndërkohë raportohet se presidenti Joe Biden ka pranuar një raport fillestar rreth incidentit në tubimin e rivalit të tij, sipas Shtëpisë së Bardhë.
Shërbimi Sekret ka dalë me një deklaratë pas incidentit në tubimin e Trumpit. Në deklaratë thuhet se ish-presidenti amerikan është i sigurt.
“Një incident ndodhi në mbrëmjen e 13 korrikut në një tubim të Trumpit në Pensilvani. Shërbimi Sekret ka zbatuar masa mbrojtëse dhe ish-presidenti është i sigurt. Ky tani është një hetim aktiv i Shërbimit Sekret dhe të dhëna të mëtejme do të lëshohen kur të jenë në dispozicion” – thuhet në deklaratën e Shërbimit Sekret të ShBA-së.
Kush është sulmuesi?
Sipas raportimit të BBC, FBI e ka identifikuar të armatosurin i cili ka vdekur dhe ai është një 20 vjeçar me emrin Thomas Matthew Crooks.
I dyshuari u qëllua për vdekje në vendngjarje nga oficerët e Shërbimit Sekret Amerikan.
Sipas forcave të sigurisë, i dyshuari ishte armatosur me një pushkë dhe kishte qëlluar nga largësia.
Reagime për rastin
Ndërkohë, për tentim atentatin ndaj Trump po vazhdojnë reagimet.
Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden shprehu keqardhje për sulmin.
"Nuk ka vend në Amerikë për këtë lloj dhune. Të gjithë duhet ta dënojnë atë." – ka thënë ai.
Edhe udhëheqës të vendeve të tjera të botës kanë dënuar tentim-vrasjen e Trumpit.
Në anë tjetër edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas sulmit ndaj ish presidentit amerikan, Donald Trump.
Kurti përmes një shkrimi në rrjetin social “X” e ka dënuar këtë sulm dhe i ka uruar shërim të shpejtë Trumpit.
“I bashkohem liderëve të tjerë botërorë në dënimin e atentatit të tmerrshëm kundër ish-presidentit të SHBA’së, Donald Trump. I uroj shërim të plotë dhe të shpejtë atij dhe të tjerëve të plagosur dhe i dërgoj ngushëllimet e mia të sinqerta familjes së spektatorit të vrarë. Mosmarrëveshjet politike në një demokraci duhet të shprehen gjithmonë përmes formave paqësore të fjalës dhe protestës dhe të zgjidhen me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pa përjashtime.” – ka shkruar ndër të tjera Kurti.