Nisin në Berlin bisedimet e paqes mes Armenisë dhe Azerbajxhanit
Gjermania është duke organizuar bisedime të paqes për dy ditë mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, pesë muaj pasi Azerbajxhani e rimori nën kontroll rajonin e Karabakut nga shumica etnike armene, duke nxitur eksod masiv të armenëve.
Azerbajxhani ka qenë gjithnjë më armiqësor ndaj përfshirjes së huaj për ndërmjetësimin e një marrëveshjeje. Presidenti azer, Ilham Aliyev, i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për rrezikim të marrëdhënieve përmes animit me Armeninë, raporton agjencia “Reuters”.
Megjithatë, ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, i vizitoi të dyja shtetet në nëntor dhe kancelari Olaf Scholz u takua me Aliyein dhe kryeministrin armen, Nikol Pashinyan, në margjinat e Konferencës së Mynihut për Siguri këtë muaj.
Armenia me shumicë të krishterë dhe Azerbajxhani me shumicë myslimane së pari kishin hyrë në luftë për rajonin e Nagorno-Karabakut më 1988. Pas disa dekadave me urrejtje, Azerbajxhani në shtator të vitit të kaluar e rimori Karabakut, që kontrollohej nga shumica armene që nga vitet e nëntëdhjeta, edhe pse komuniteti ndërkombëtar e njeh atë pjesë si territor azer.
Ofensiva e nxiti shumicën e 120 mijë armenëve etnikë që të largoheshin nga enklava dhe të shkonin në Armeni.
Armenia e ka përshkruar ofensivën si spastrim etnik. Azerbajxhani e ka mohuar këtë akuzë dhe ka thënë se ata që janë larguar do të mund të qëndronin dhe të integroheshin në Azerbajxhan.
Ministria e Jashtme e Gjermanisë është duke i organizuar bisedimet mes këtyre dy shteteve. Zonja Baerbock do të takohet ndaras me homologët e saj nga Armenia dhe Azerbajxhani të mërkurën para zhvillimit të një takimi trepalësh.
Në mesin e çështjeve të pazgjidhura mes dy vendeve fqinje është mungesa e një marrëveshjeje për kufirin e përbashkët dhe secili shtet mban nën kontroll enklava të vogla, të rrethuara nga territori i tjetrit.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Rusia janë përpjekur me dekada që të ndërmjetësojnë mes dy palëve.