Nis hakmarrja e Izraelit ndaj Palestinës për dërgimin e rastit në GjND, bllokohen miliona dollarë - NACIONALE

Nis hakmarrja e Izraelit ndaj Palestinës për dërgimin e rastit në GjND, bllokohen miliona dollarë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Në njërën nga veprimet e para që nga ardhja në pushtet, Kabineti i ri i Sigurisë i Izraelit ka miratuar një varg masash ndëshkuese për udhëheqësinë palestineze, njoftoi të premten zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.

Sipas deklaratës së kësaj zyre, këto masa janë kundërpërgjigje për palestinezët që kanë bërë fushatë për ta kërkuar opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth pushtimit të territoreve palestineze nga Izraeli. Megjithatë, palestinezët u zotuan se do t’i vazhdojnë përpjekjet e tyre diplomatike pavarësisht nga masat e reja të autoriteteve izraelite.

Ky zhvillim e nënvizon qasjen më të ashpër ndaj palestinezëve, që është premtuar nga qeveria e re ultranacionaliste izraelite në kohën e shtimit të dhunës në territoret e pushtuara, raporton agjencia “Associated Press”.

Njoftimi i autoriteteve izraelite vjen një javë pasi Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi me shumicë votash një rezolutë me të cilën kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë që të ndërhyjë dhe të japë një opinion për ligjshmërinë e politikave izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor.

Kabineti i Sigurisë i Izraelit e përshkroi kërkesën e Autoritetit Palestinez ndaj OKB-së si “vendim për të zhvilluar luftë politike e ligjore kundër Shtetit të Izraelit”.

“Qeveria e tanishme nuk do të rrijë duarkryq përballë kësaj lufte dhe do të përgjigjet siç do të jetë e nevojshme”- thuhet në njoftim.

Kështu, Kabineti i Sigurisë, i mbushur me aleatë të së djathtës ekstreme dhe konservatorë religjiozë si partnerë qeveritarë të Netanyahu-t, vendosi që Izraeli nuk do t’ia japë Autoritetit Palestinez 39 milionë dollarë dhe, në vend të kësaj, do t’i transferojë fondet në një program dëmshpërblimi për familjet e viktimave izraelite të sulmeve militante palestineze.

Zyra e kryeministrit tha, gjithashtu, se do t’i zvogëlojë më tej të ardhurat që zakonisht ia transferon Autoritetit Palestinez – sasi e barabartë me të hollat që autoritetet palestineze ua dhanë fitin e kaluar familjeve të të burgosurve palestinezë dhe familjeve të të vrarëve në konflikt, duke i llogaritur edhe militantët e përfshirë në sulmet kundër Izraelit.

Kabineti i Sigurisë i vuri në shënjestër edhe zyrtarët palestinezë drejtpërdrejt, duke thënë se do t’ua mohojë përfitimet “VIP-ave që janë duke e udhëhequr luftën politike dhe ligjore kundër Izraelit”. Zyrtarë të lartë të Autoritetit Palestinez marrin leje nga Izraeli me të cilat u mundësohet udhëtimi i lehtë për të hyrë e për të dalë nga Bregu i pushtuar Perëndimor, ndryshe nga palestinezët e rëndomtë.

Lajme të ngjashme