Netanyahu në Kongresin e ShBA-së: Lufta e Izraelit është lufta juaj - NACIONALE

Netanyahu në Kongresin e ShBA-së: Lufta e Izraelit është lufta juaj

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e çmoi të mërkurën mbështetjen amerikane për luftën e vendit të tij në Gaza, por ofroi pak hollësi rreth bisedimeve për armëpushim, përderisa mbajti fjalim në një seancë të përbashkët të Kongresit të ShBA-së, që u bojkotua nga dhjetëra ligjvënës demokratë dhe kundër të cilit u protestua nga mijëra njerëz afër ndërtesës së Capitol-it.

Në një fjalim të zjarrtë në sallën e Dhomës së Përfaqësuesve, Netanyahu bëri thirrje për “fitore të plotë” në luftën e Gazës, duke e venitur shpresën e disave se ai do të njoftonte përparim drejt arritjes së një armëpushimi dhe kthimit të pengjeve izraelite para takimit të tij me presidentin Biden të mërkurën, raporton gazeta “The Guardian”.

“Ne nuk po e mbrojmë vetëm veten. Po ju mbrojmë ju… Armiqtë tanë janë armiqtë tuaj, lufta jonë është lufta juaj dhe fitorja jonë do të jetë fitorja juaj” – tha me zë të lartë Netanyahu, përderisa ligjvënës republikanë të Senatit e të Dhomës së Përfaqësuesve u ngritën në këmbë për ta duartrokitur fjalimin.

Jashtë ndërtesës së Capitol-it të rrethuar, policia përdori sprej kundër protestuesve që brohorisnin: “Netanyahu, s’mund të fshihesh. Ti po kryen gjenocid.” Rrugët në zonën e qendrës në Uashington ishin të mbyllura për automjete, ndërsa oficerë me përvojë në trajtimin e protestave masive u angazhuan nga policia e Nju-Jorkut.

Dhjetëra anëtarë demokratë të Kongresit, përfshirë ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, thanë se do ta bojkotonin fjalimin e Netanyahut për shkak të shqetësimeve humanitare për atë se si Izraeli e ka zhvilluar luftën në Gaza, ku raportohet për rreth 39 mijë civilë palestinezë të vrarë. Uebfaqja amerikane e lajmeve, “Axios”, raportoi se gati gjysma e të gjithë ligjvënësve demokratë munguan në seancën e përbashkët ku foli kryeministri izraelit.

“Paraqitja e Benjamin Netanyahut në sallën e Dhomës [së Përfaqësuesve] sot ishte bindshëm paraqitja më e keqe e ndonjë figure të lartë të huaj të ftuar e të nderuar me privilegjin e adresimit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara” – shkroi zonja Pelosi në rrjetin X, duke shtuar se kishte kaluar kohë me anëtarë të familjeve të pengjeve që po bëjnë thirrje për marrëveshje armëpushimi.

Bernie Sanders, që gjithashtu e bojkotoi fjalimin e Netanyahut, tha se “kjo do të jetë hera e parë në historinë amerikane që një krimineli të luftës i është dhënë ky nder”.

Lajme të ngjashme