Netanyahu zotohet për sulm “të fuqishëm” në Rafah përkundër thirrjeve ndërkombëtare
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka këmbëngulur se trupat e vendit të tij do të avancojnë në qytetin jugor të Gazës, Rafah, duke i sfiduar thirrjet e jashtme për ta rishqyrtuar këtë operacion.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ishte në mesin e udhëheqësve ndërkombëtarë që e paralajmëruan Netanyahun për t’u sprapsur, duke i thënë se kostoja njerëzore e operacionit izraelit në Gaza është “e patolerueshme”, raporton televizioni BBC.
Megjithatë, kryeministri izraelit e ka urdhëruar ushtrinë e tij që të përgatitet për një sulm tokësor në qytetin ku janë strehuar rreth 1,4 milion palestinezë dhe që tashmë është ballafaquar me bombardime.
Netanyahu u zotua për të vazhduar me një sulm “të fuqishëm”, duke deklaruar se Hamasi, grupi që e kontrollon Gazën, duhet të eliminohet nga qyteti jugor i enklavës.
“Ne do të luftojmë deri në fitore të plotë dhe kjo përfshin një veprim të fuqishëm edhe në Rafah, pasi ta lejojmë popullsinë civile që të largohet nga zonat e betejave” – tha ai.
Presidenti francez e telefonoi Netanyahun të mërkurën për t’i thënë se operacionet e Izraelit në Gaza “duhet të pushojnë”.
Ai e shprehu “kundërshtimin e Francës ndaj një ofensive izraelite në Rafah, e cila vetëm do të mund të çonte te një katastrofë humanitare të një lartësie të re”.
Edhe kryeministrat e Australisë, Kanadasë dhe Zelandës së Re lëshuan një deklaratë të përbashkët në të cilën e shprehën “shqetësimin serioz” që një operacion ushtarak në Rafah do të ishte “katastrofal”.
“Ne i bëjmë thirrje qeverisë izraelite që të mos shkojë kësaj rruge” – thuhet në deklaratën e këtyre tre kryeministrave, ku shtohet se “ndikimi ndaj civilëve palestinezë nga një operacion i zgjeruar ushtarak do të ishte shkatërrues”.
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, duke e vizituar Izraelin, paralajmëroi se njerëzit në Rafah, që nuk kanë se ku të shkojnë, “thjesht nuk mund të zhduken në ajrin e hollë”.
Ministria e Shëndetësisë në Gazan e kontrolluar nga Hamasi raporton se të paktën 28 mijë e 576 njerëz, shumica gra e fëmijë, janë vrarë si rezultat i ofensivës izraelite në Gaza.
Izraeli nisi veprime ushtarake, pasi persona të armatosur, të udhëhequr nga Hamasi, vranë të paktën 1.200 njerëz dhe morën peng 253 të tjerë gjatë një sulmi të befasishëm në jug të këtij shteti më 7 tetor të vitit të kaluar.