Netanyahu thotë se ushtria do të hyjë në Rafah pavarësisht kërkesës së ShBA-së - NACIONALE

Netanyahu thotë se ushtria do të hyjë në Rafah pavarësisht kërkesës së ShBA-së

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Pas një kërkese të re nga Shtëpia e Bardhë për të shmangur një operacion të madh në Rafah, kryeministri izraelit ka thënë në një takim të mbyllur të Komisionit të Knessetit për Punë të Jashtme dhe të Komisionit të Mbrojtjes se Izraeli do të futet në qytetin jugor të Gazës.

“Amerikanët kërkuan që ne të mos bëjmë një operacion në Rafah, por nuk ka tjetër zgjedhje. Na duhet kontrolli mbi Rrugën Philadelphi” – tha kryeministri izraelit, duke iu referuar rrugës kufitare përgjatë kufirit Gaza – Egjipt, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Sa i përket ndihmave humanitare, Netanyahu thotë se po i shikojnë organizatat e jashtme që ta shpërndajnë ushqimin si dhe “kompanitë private”.

Netanyahu u tha ligjvënësve izraelite se “nga këndvështrimi i Izraelit, nuk ka asgjë që po ua parandalon largimin banorëve të Gazës, por nuk ka shtete në botë që janë të gatshme për t’i pranuar ata”.

Ai shtoi se Izraeli është duke ndërtuar një pikëkalim të ri kufitar në Kerem Shalom “për ta zëvendësuar pikëkalimin në Rafah” drejt Egjiptit dhe se Izraeli do ta ketë kontrollin mbi të.

Ndërkohë ushtria izraelite ka thënë se e ka përmbyllur operacionin kundër Hamasit në kompleksin e banimit Hamad, në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis.

Sulmi që kishte nisur më herët këtë muaj u krye nga njësitet komando “Maglan” dhe “Egoz”, bashkë me forca të tjera.

Sipas ushtrisë izraelite, më shumë se 100 persona të armatosur janë vrarë gjatë operacionit, ndërsa disa ndërtesa janë shkatërruar, përfshirë disa ku ishin vendosur mjete të kurdisura shpërthyese.

Lajme të ngjashme