Netanyahu thotë se marrëveshja me Sirinë është e mundshme, pret zonë neutrale
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të martën se një marrëveshje me Sirinë është e mundshme dhe se ai pret që autoritetet siriane të krijojnë një zonë të demilitarizuar neutrale nga Damasku deri te Mali i Hermonit dhe në zona të tjera.
Netanyahu foli një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, administrata e të cilit ka bërë përpjekje që të ndërmjetësojë një pakt jo-agresioni mes dy vendeve, tha se është shumë e rëndësishme që Izraeli të mbajë një “dialog të fortë dhe të vërtetë” me Damaskun, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Siria nuk e njeh formalisht Izraelin, i cili ka pushtuar territore të reja siriane nga dhjetori i vitit të kaluar. Izraeli e kapi Rrafshnaltën e Golanit në luftën e vitit 1967 dhe më vonë e aneksoi atë. Kjo lëvizje është njohur nga Shtetet e Bashkuara, por jo nga shumica e shteteve të tjera.
“Ajo që ne presim që Siria ta bëjë është, natyrisht, themelimi i një zone të demilitarizuar neutrale nga Damasku deri te zona neutrale, përfshirë afërsinë e Malit të Hermonit dhe majës së Hermonit” – tha Netanyahu gjatë vizitës te disa ushtarë të plagosur izraelitë. “Ne i mbajmë këto zona me qëllim që ta garantojmë sigurinë e qytetarëve të Izraelit dhe kjo është ajo që na obligon” – shtoi ai.
“Me vullnet të mirë dhe mirëkuptim të këtyre parimeve, është e mundshme që të arrihet një marrëveshje me sirianët, por ne do t’u qëndrojmë parimeve tona në cilindo rast” – paralajmëroi kryeministri izraelit.
Trumpi ka shprehur përkrahje për presidentin e ri sirian, Ahmed al-Sharaa, por Izraeli ka shfaqur rezerva për shkak të lidhjeve të tij në të kaluarën me militantët islamikë.
Sipas mediave siriane, nga një bastisje e forcave izraelite në Siri të premten u vranë 13 sirianë. Ushtria izraelite tha se kishte vënë në shënjestër një grup libanez atje. Netanyahu të martën i vizitoi ushtarët izraelitë që mbetën të plagosur gjatë atij operacioni./Nacionale