Netanyahu thotë se Irani nuk ka më kapacitete për të pasuruar uranium
Irani nuk ka më kapacitete për të pasuruar uranium apo për të prodhuar raketa balistike pas 20 ditëve të sulmeve amerikano-izraelite, tha të enjten në një konferencë për gazetarë kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.
“Ne po fitojmë dhe Irani po shkatërrohet” – tha Netanyahu, duke theksuar se arsenali raketor dhe i dronëve i Iranit po degradohet në mënyrë masive dhe do të shkatërrohet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ato që jemi duke i shkatërruar ne tani janë fabrikat që i prodhojnë pjesët për t’i bërë këto raketa dhe për t’i bërë armët bërthamore që ata po mundohen t’i prodhojnë” -shtoi kryeministri izraelit.
Ai nuk paraqiti dëshmi për pretendimin e tij se Irani nuk ka më kapacitetet për të pasuruar uranium.
Programi bërthamor i Iranit ishte në fokusin e bisedimeve me ndërmjetësim që në fund dështuan, ndërsa më pas Shtetet e Bashkuara dhe Irani nisën një sulm ajror ndaj Iranit më 28 shkurt. Irani është kundërpërgjigjur me raketa drejt Izraelit dhe shteteve të Gjirit Persik, duke e kufizuar edhe qarkullimin e anijeve transportuese nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Pavarësisht luftës që po mbush gati tri javë, është ende herët për të thënë nëse iranianët do të dalin rrugëve në përpjekje për t’i rrëzuar ata që janë në pushtet, tha Netanyahu.
“I përket popullit iranian që ta tregojë këtë, ta zgjedhë momentin dhe të ngrihet para këtij momenti” – tha ai.
Përderisa lufta deri më tani është zhvilluar përmes sulmeve ajrore, Netanyahu tha se duhet të ekzistojë edhe pjesa tokësore dhe “ka shumë mundësi për këtë përbërës tokësor”. Ai nuk dha hollësi.
Netanyahu gjithashtu mohoi se ai i ka tërhequr Shtetet e Bashkuara në konflikt.
“A mendon ndokush vërtet se dikush mund t’i tregojë presidentit Trump se çfarë të bëjë” – tha ai./Nacionale