Netanyahu i miraton planet për veprim ushtarak në Rafah
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka “miratuar planet për veprim në Rafah”, tha zyra e tij në një deklaratë të premten.
“Forcat e Mbrojtjes të Izraelit po përgatiten për anën operacionale dhe për evakuimin e popullsisë” – tha zyra e kryeministrit izraelit, raporton televizioni CNN.
Njoftimi erdhi pas një takimi të kabinetit izraelit të sigurisë në Tel Aviv. Hollësi të tjera nuk qenë menjëherë të qasshme.
Vlerësohet se në Rafah, qytet në jug të Gazës, ndodhen 1,4 milion njerëz, shumë prej të cilëve janë zhvendosur disa herë nga pjesë të tjera të Gazës.
Zyra e kryeministrit izraelit gjithashtu tha: “Në lidhje me pengjet – kërkesat e Hamasit janë ende qesharake. Një delegacion izraelit do të shkojë në Doha pasi Kabineti i Politikave të Sigurisë ta diskutojë pozicionin e Izraelit.”
Izraeli synon që t’i dërgojë palestinezët e zhvendosur nga Rafah drejt “enklavave humanitare” në Gaza para ndonjë sulmi të ushtrisë izraelite në zonën e fundit në Gaza që ka mbetur pa u arritur nga ushtria, that ë mërkurën zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari.
Megjithatë, ai shtoi se koha e sulmit varet nga “kushtet që e lejojnë atë”.