Netanyahu: “Hipokrizi e pafund” nga ata që po e kritikojnë Izraelin për sulmin në Katar
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të hënën se ka “hipokrizi të pafund” në kritikat ndaj vendit të tij për sulmin në Katar, në shënjestër të të cilit ishin krerët e Hamasit.
Netanyahu i bëri këto komente krahas sekretarit të Shtetit të ShBA-së, Marco Rubio, pavarësisht se presidenti amerikan, Donald Trump, është në mesin e atyre që e kanë kritikuar Izraelin për sulmin në Katar, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Kryeministri izraelit e përmendi rezolutën e Kombeve të Bashkuara që ishte miratuar pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara, në të cilën thuhet se asnjë shtet nuk mund të strehojë terroristë.
“Ju nuk keni sovranitet të tillë, kur keni dhënë një bazë për terroristë” – tha Netanyahu.
Ai u duk sikur pranoi që Izraeli nuk ka arritur sukses në vrasjen e krerëve të Hamasit, por tha se vendi i tij prapëseprapë u dërgoi një porosi terroristëve me këtë sulm: “Mund të fshiheni, mund të ikni, por do t’ju kapim.”
Në anën tjetër, kryediplomati amerikan tha se pengjet izraelite janë duke u mbajtur ende dhe se Hamasi ekziston akoma, por duhet të eliminohet.
Në konferencën e përbashkët për gazetarë, Netanyahu tha se ndërtesat shumëkatëshe që po goditen nga ushtria izraelite në Gaza janë bastione të Hamasit.
Sipas tij, “bota duhet t’i vërë në rend prioritetet dhe faktet” sa i përket Gazës dhe se Izraeli do të vazhdojë që të bëjë çfarë është e mundshme për ta minimizuar dëmin ndaj njerëzve që nuk janë në shënjestër./Nacionale