Netanyahu e vazhdon sulmin ndaj Albaneses: E kaluara e tij është njollosur përgjithmonë
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, të enjten i vazhdoi sulmet personale ndaj homologut Australian, Anthony Albanese, për shkak të vendimit të qeverisë së tij për të njohur një shtet palestinez, duke thënë se e kaluara politike e tij është dëmtuar përgjithmonë.
Marrëdhëniet diplomatike mes Australisë e Izrelit janë përkeqësuar që nga koha kur Qeveria e Australisë javën e kaluar njoftoi se do ta njihte – me kushte – shtetësinë palestineze, duke i pasuar vendimet e ngjashme nga Franca, Britania e Kanadaja, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Vendimi i Australisë e nxiti Netanyahun që të bënte një sulm personal me fjalë ndaj Albaneses dhe qëndrimin e tij e përsëriti në një intervistë që do të transmetohet në televizionin “Sky News Australia”.
“Mendoj se e kaluara e tij është njollosur përgjithmonë nga dobësia që ai e shfaqi përballë këtyre bishave terroriste të Hamasit” – tha Netanyahu, pasi më herët këtë javë homologun australian e kishte përshkruar si “politikan të dobët që e tradhtoi Izraelin dhe i braktisi hebrenjtë e Australisë”.
Televizioni “Sky News Australia” i publikoi komentet e kryeministrit izraelit para transmetimit të plotë të intervistës, që do të bëhet të enjten në orën 22:00.
Të mërkurën, vetë Albanese i minimizoi kritikat nga homologu izraelit, duke thënë se ai “nuk i merr këto gjëra personalisht” dhe se i trajton me respekt udhëheqësit e vendeve të tjera.
Javën e kaluar, kryeministri australian tha se Netanyahu “po e mohon” situatën humanitare në Gaza, ku Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar për rrezikun e urisë së përhapur dhe presioni ndërkombëtar po shtohet mbi Izraelin që të lejojë hyrje të pakufizuar të ndihmave në enklavë.
Këshilli Ekzekutiv i Hebrenjve Australianë në letra të ndara të dërguara të mërkurën u bëri thirrje të dy kryeministrave që t’i diskutojnë dallimet përmes diplomacisë e jo përmes qëndrimeve publike.
“Ne shkruajmë për t’i shprehur zhgënjimin dhe shqetësimin tonë të thellë me luftën e fjalëve që ndodhi rishtazi” – thuhet në letër.
Izraeli këtë javë ua pezulloi vizat diplomatëve australianë tek Autoriteti Palestinez, pasi Australia ia pezulloi vizën një ligjvënësi izraelit për shkak të komenteve të tij, të cilat i konsideroi si kundërthënëse dhe nxitëse./Nacionale