Netanyahu e forcon pushtetin, e merr në kabinet ish-rivalin Saar - NACIONALE

Netanyahu e forcon pushtetin, e merr në kabinet ish-rivalin Saar

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryetari i partisë Shpresa e Re, Gideon Saar, të dielën iu ribashkua kabinetit qeveritar të kryeministrit Benjamin Netanyahu të Izraelit, pak më shumë se një javë pasi aleati i shndërruar në rival të kryeministrit kishte thënë se nuk do të pranonte një ofertë për ta zëvendësuar ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant.

Netanyahu dhe Saari e dhanë lajmin për fillimin e punës së përbashkët në pushtet gjatë një konference të përbashkët për gazetarë dhe pak më vonë, kabineti e miratoi vendimin, raporton gazeta “The Times of Israel”.

“Unë e çmoj faktin që Gideon Saari i është përgjigjur kërkesës sime dhe është pajtuar për t’iu bashkuar Qeverisë. Kjo lëvizje kontribuon në unitetin mes nesh dhe në unitetin tonë përballë armiqve tanë” – tha kryeministri izraelit.

Në anën tjetër, Saari tha se vendimi i tij për të rihyrë në kabinet qeveritar erdhi gjatë “ditëve të vështira dhe sfiduese”, duke shpjeguar se ishte “me rëndësi që të forcohen Izraeli, Qeveria e tij dhe uniteti e kohezioni i tij” dhe duke deklaruar se vendimi i tij ishte “patriotik dhe gjëja e duhur për t’u bërë tani”.

“Nuk ka kuptim që të vazhdohet ulja në opozitë, ku shumica e pozicioneve të anëtarëve ndaj çështjes së luftës janë të ndryshme, madje larg të miave. Tani për tani, është detyra ime që të mundohem të kontribuoj në tavolinën ku merren vendimet” – shtoi ai.

Kryetari i partisë Shpresa e Re tani për tani nuk e ka zëvendësuar ministrin Gallant, edhe pse mediat izraelite raportuan të dielën se ai dhe Netanyahu nuk do ta përjashtonin mundësinë që kjo të bëhej. Besohet gjerësisht se kryeministri është i vendosur për ta shkarkuar ministrin e Mbrojtjes në të ardhmen e afërt.

Lajme të ngjashme